Osmani: Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarë të NATO-s

  • A.P /
  • 15 August 2023 - 21:07
Osmani: Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarë të NATO-s

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të marra muaj më parë ndaj Kosovës, kanë qenë plotësisht joproporcionale me veprimet e institucioneve të Kosovës, ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përgjatë një vizite në Komunën e Dragashit, Osmani ka vlerësuar se masat e kanë dëmtuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

“Nuk është përgjigje e cila e nxit bashkëpunimin dhe koordinimin, përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut dhe e vendos atë komplet jashtë binarëve në të cilët do të duhej të ishte, ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë”.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të faktorit ndërkombëtar për ulje të tensioneve në veri të Kosovës në muajt maj e qershor.

Atje protestat e serbëve lokalë dhe qytetarëve tjerë – që kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale – janë përshkallëzuar në dhunë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Osmani e fajësuar Serbinë për këto sulme.

“Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarë të NATO-s. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë, dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë për këtë agresion që e ka kryer në raport me Kosovën”, ka thënë ajo, duke përsëritur se masat i janë vënë padrejtësisht Kosovës.

Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, pati thënë më 9 qershor se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.

Me qëllim të shtensionimit të situatës, Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë arritur marrëveshje më 10 korrik në Bratislavë për marrjen e disa hapave.

Osmani ka thënë se Kosova po e respekton marrëveshjen me besnikëri.

“Tashmë ka reduktim të forcave policore në përputhje me marrëveshjen. Në anën tjetër është duke u krijuar baza ligjore për mbajtje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna veriore”.

(Kosova Sot Online)