Gjykata Komerciale obligon MTI-në t’ia kompensojë dëmin mbi 1 milion euro paditësit

  • A.P /
  • 20 August 2023 - 14:33
Gjykata Komerciale obligon MTI-në t’ia kompensojë dëmin mbi 1 milion euro paditësit

Gjykata Komerciale përmes aktgjykimit ka obliguar Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), që paditësit KPU “Inspect” Sh.p.k t’ia kompensojë dëmin material në formën e fitimit të humbur, në vlerë prej 1 milion e 8 mijë e 454 euro e 61 centë, me kamatë ligjore prej 8%, nga data e paraqitjes së padisë e deri në përmbushjen definitive, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Aktgjykimi i Komerciales, është marrë më 2 maj 2023, jashtë seancës, ndërsa shuma që do të kompensohet thuhet se është konstatuar dhe vërtetuar me ekspertizë financiare.

Sipas padisë, e paditura MTI më 30 gusht 2021, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendim, me të cilin paditësit KPU “Inspect”, i është refuzuar dhënia e autorizimit për inspektimin e karburanteve të naftës.

Komercialja konstaton se vendimi i MTI-së ishte i kundërligjshëm, i përbërë me shkelje të dispozitave procedurale dhe me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

“Vendimi i të Paditurës me të cilin ishte refuzuar kërkesa me numër protokolli 3104, ishte vendim i kundërligjshëm jo vetëm sa i përket shkeljeve të dispozitave procedurale, por edhe sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike ngase Gjykata në arsyetimin e Aktgjykimit të saj e ka vërtetuar se nuk qëndron asnjëri nga pretendimet e të Paditurës se gjoja Palës Paditëse i mungonte çmimorja e shërbimeve dhe garancioni bankar në vlerën prej 20,000.00 €”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

(Kosova Sot Online)