Krasniqi: Prindërit nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre

  • A.P /
  • 21 August 2023 - 16:19
Krasniqi: Prindërit nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre

Sivjet mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, siç shprehet ai, kjo çështje ishte zgjidhur 15 vite më parë nga Hashim Thaçi, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 Sipas tij, kësaj qeverie “skandali nuk po ia pret skandalin”.

“Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë”, shkruan Krasniqi.

Reagimi i tij i plotë:

Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.

Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas.

Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, në çfarëdo aspekti. Për më keq, përmes veprimeve të tyre, kjo Qeveri vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit tonë.

Fjalët janë të mira, por qeverisja bëhet me punë, përgjegjësi e dije. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po detyrohen të zgjedhin në mes të tatimeve, sigurimit të ushqimit apo shkollimit të fëmijëve. Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë.

(Kosova Sot Online)