Prokuroria deklarohet për rastin ku 1 person vdiq e 5 të tjerë u lënduan nga zjarri në Psikiatri

  • A.P /
  • 24 August 2023 - 15:09
Prokuroria deklarohet për rastin ku 1 person vdiq e 5 të tjerë u lënduan nga zjarri në Psikiatri

Pasi dyshohet se ia kishte vënë flakën dhomës ku ai po merrte trajtim, një pacient, i moshës 50-vjeçare, ka vdekur mbrëmë në Klinikën e Psikiatrisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 Përveç tij, nga tymi e kanë pësuar edhe pesë persona tjerë – dy mjekë, dy infermiere dhe një paciente. Për këtë rast Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore në koordinim me policinë, që të ndriçohen rrethanat.

Mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur. Sipas ShSKUK’së, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës dhe si pasojë e ngufatjes, ai ka vdekur, ndërsa janë lënduar pesë persona tjerë.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë  në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë  e ngufatjes nga tymi (asfiksioni)  ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftimin e ShSKUK’së.

Për këtë rast, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, në një përgjigje, tha se prokurori i shtetit ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML, derisa janë duke u ndërmarrë veprimet hetimore në koordinim me policinë që të ndriçohen rrethanat.

“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur mbrëmë në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda është njoftuar nga Policia e Kosovës për zjarrin e shkaktuar në rrethana të panjohura brenda kësaj Klinike, i njëjti ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi, derisa nga kjo situatë e krijuar disa persona të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML, për t’iu nënshtruar obduksionit, derisa veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me policinë, për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ulaj

Ndërkaq, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka thënë se janë njoftuar rreth orës 00:15 për rastin. Sipas saj një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar.

“Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, tha ajo.

Ahmeti shtoi se aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

(Kosova Sot Online)