Alon Ben Meir: Kurti e ka zbutur qëndrimin e tij lidhur me themelimin e Asociacionit

  • A.P /
  • 11 September 2023 - 16:40
Alon Ben Meir: Kurti e ka zbutur qëndrimin e tij lidhur me themelimin e Asociacionit

Për ekspertin e çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka zbutur qëndrimin e tij lidhur me zgjedhjet e reja në Veri dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Në intervistën e tij të fundit për Bloomberg, Kurti duket se e zbut qëndrimin e tij lidhur me nevojën për zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës si dhe zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka shkruar ai në platformën X.

Muajin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës pas mos-gatishmërisë së Qeverisë për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të vendit sipas kërkesave të komuniteti ndërkombëtar po e dëmtojnë Kosovën në aspektin socio-ekonomik.

Ai ka theksuar se masat shtrënguese të Unionit “po e dëmtojnë vendin në aspektin e mbështetjes financiare” të cilat i alokohen Kosovës në formë të granteve dhe kredive nga BE-ja, shkruan AP.

“Masat po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”, ka thënë Kurti në një intervistë për Bloomberg.

Shefi i Qeverisë në po këtë intervistë ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet, para se aleatët të nisin të merren me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE.

“Ekziston një ndjenjë urgjence për ta implementuar marrëveshjen dhe që të normalizohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”.

Sipas tij kthimi në Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e miratuar nga Kosova dhe Serbi në shkurt dhe në mars të këtij viti është e vetmja rrugë përpara.

(Kosova Sot Online)