Gjykata anulon vendimin për zgjedhjen e 5 anëtarëve të KD të UP-së, a do të luhatet karriga e rektorit?

  • S.A /
  • 12 September 2023 - 12:13
Gjykata anulon vendimin për zgjedhjen e 5 anëtarëve të KD të UP-së, a do të luhatet karriga e rektorit?

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, transmeton "Kosova Sot Online".

Më 24 qershor 2022, ditën kur u mor ky vendim, Policia u angazhua për t’i larguar me forcë disa studentë që po protestonin në hyrje të Rektoratit. Përfaqësues të tyre do të duhej të merrnin pjesë në procedurë, por nuk u lejuan. Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi kishin marrë votat në rundin e tretë të votimit për t’u bërë anëtarë të Këshillit Drejtues.

Gjykata u ka dhënë të drejtë studentëve, të cilët përmes përfaqësuesit të tyre, Lirigzon Hoxha e kishin paditur Senatin e UP-së dhe ata tani po kërkojnë edhe anulimin e vendimeve të marra gjatë udhëheqjes aktuale, përfshirë edhe atë për zgjedhjen e rektorit të ri.

“Mbi këtë gjendje të fakteve, gjykata konstaton se në këtë çështje administrative juridike është shkelur ligji në dëm të palës paditëse, andaj organi i paditur do të ketë parasysh theksimet nga kërkesa e paditëses”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore.

Unioni Demokratik Studentor tha në një reagim se veprimet në UP u udhëhoqën nga “grupe kriminale të interesit që për qëllim e kanë kapjen e Universitetit” dhe se vendimi i gjykatës vërtetoi se “Universiteti i Prishtinës ka udhëheqje joadekuate që qëllim parësor ka interesat e ngushta grupore dhe jo zhvillimin e UP-së”.

“I bëjmë thirrje të gjitha instancave përgjegjëse të UP-së që të reflektojnë tani kur pretendimet tona janë të vërtetuara edhe me Vendim nga institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Kjo organizatë studentore ka kërkuar anulimin e të gjitha vendimeve të marra nga udhëheqja e Universitetit, përfshirë atë për zgjedhjen e rektorit. Gjithashtu kërkohet që menaxhmenti i UP-së të japë dorëheqje për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të përgjithshme në UP.

Gjykata e ka vlerësuar si të mangët dhe që “nuk i përmban elementet e nevojshme mbi bazën e të cilave do të duhej të ndërtohej arsyetimi”, argumentin e Senatit për vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues.

Themelorja ka kërkuar, ndër tjerash, “riprocedurë dhe rivendosje” dhe kujdes nga Senati i UP-së gjatë hartimit të vendimit të ri.

“Në riprocedurë dhe rivendosje, organi i paditur duhet të tregojë kujdes të shtuar gjatë hartimit të vendimit të ri, të zhvilloj procedurën administrative në përputhje të plotë me nenin 26 dhe 27 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative e në ndërlidhje me nenin 18, paragrafin 3 dhe nein 9, paragrafin 2 të Statutit të Universitetit të Prishtinës. Në këtë drejtim, organi i paditur obligohet që të rishqyrtoj, rivlerësoj dhe rivendos në lidhje me besueshmërinë ligjore të pjesëmarrjes së paditësit në procesin e zgjedhjes së pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të të paditurit”, thuhet në aktgjykim.

Në këtë drejtim, në aktgjykim thuhet se “gjykata e obligon organin e paditur, që në afat prej tridhjetë (30) ditësh, në ri-procedurë të veproj sipas vërejtjeve të dhëna në këtë Aktgjykim dhe pasi t’i mënjanoj të metat e cekura, të merr vendim të drejtë të bazuar në ligj”.

(Kosova Sot Online )