Kurti: Të thuash që një marrëveshje meriton të zbatohet vetëm në gjysmën e saj është e njëjtë sikur të thuash që ajo duhet mbytur

  • A.P /
  • 18 September 2023 - 20:00
Kurti: Të thuash që një marrëveshje meriton të zbatohet vetëm në gjysmën e saj është e njëjtë sikur të thuash që ajo duhet mbytur

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi kanë mbajtur konferencë për medie, ku kanë dhënë detaje për takimin e fundit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikatë ka dërguar fjalën e plotë të kryeministrit Kurti në këtë konference ku akuzoi ndërmjetësuesit të dialogut se kanë pasur një pozicionim të qartë kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes bazike në veçanti.

Fjala e plotë e Kurtit:

Jam sot para jush për t’ju informuar për takimin e fundit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të Brukselit, të organizuar me datë 14 shtator, pra të enjten e javës që lamë pas.

Ftesa për takim e Përfaqësuesit të Lartë nuk kishte përcaktuar ndonjë pikë specifike të rendit të ditës, megjithatë aty thuhej që qëllimi i takimit është diskutimi për planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Unë shkova në takim me një propozim konkret, në vlerësimin tim shumë konstruktiv, në të cilin ne parashikuam një zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Propozimi ynë bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes, që nënkuptonte që çdo nen e përcaktim i Marrëveshjes Bazike dhe i Aneksit të saj zbatues duhej të përfshihej medoemos në planin e zbatimit të sekuencuar. Parimin e gjithëpërfshirjes nuk është se e kam zbuluar unë e as nuk është një gjë pazakonshme në planet zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare. Gjithpërfshirjen, përkatësisht detyrimin për të zbatuar secilin nen të Marrëveshjes Bazike e përcakton edhe vetë Aneksi i Implementimit i miratuar në Ohër me 18 Mars. Aty, në atë Aneks, përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen, e përsëris, që çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk mund të shprehin obstruksione ndaj asnjë neni. Kjo është një gjë më se e zakonshme, logjike dhe praktikë qindra vjeçare në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në takimin e parë, atë bilateral që pata me Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell dhe Lehtësuesin Miroslav Lajçak, m’u kërkua që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar në Nenin 7 të Marrëveshjes Bazike në lidhje me nenin 10. Ua bëra të qartë që një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnin pa u dakorduar në mënyrë të plotë për Planin e Zbatimit të Sekuencuar, aq më shumë për shkak që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka një kohë që deklaron poshtë e lart që ai “nuk ka pranuar një marrëveshje” me Kosovën, dhe që atë “do e zbatojë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”. Duke marrë shkas nga ky kontekst, ua bëra të qartë të dy përfaqësuesve Evropian që hapi i parë duhet të jetë dakordimi i një plani të sekuencimit dhe, në të, të parashihej nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike ose së paku depozitimi i saj nga Përfaqësuesi Borrell në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizatë nga e cila është mandatuar funksioni lehtësues i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në takimin e parë nuk arritëm tek një mirëkuptim minimal, duke qenë se qëndrimi i zotërinjve Borrell dhe Lajçak ishte që sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes duhej bërë në mënyrë të tillë që të ishte e pranueshme edhe për Serbinë, e cila e donte Asociacionin si prioritet dhe heqjen e neneve të njohjes së ndërsjellë de facto.

Që aty ua bëra të qartë që sekuencimi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike nuk kërkonte një negociatë të re: ajo duhej të ishte një rezultat i natyrshëm, teknikisht një pasqyrim, i secilit nen të Marrëveshjes Bazike. Një gjë e tillë është e natyrshme prej kur pranuam Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj; e kundërta, do të nënkuptonte heqje dorë nga një pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes Bazike.

Në takimin e dytë, atë trilateral me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të Serbisë, u ekspozova përballë një skenari të cilin z. Lajçak dukej që e kishte dizajnuar kohë më parë. Pasi i propozova Presidentit të Serbisë dhe dy përfaqësuesve Evropian një plan të sekuencimit të punuar nga Republika e Kosovës, i cili në fakt është dokumenti i parë që e propozoj në një takim të nivelit të lartë, edhe pse kryenegociatori, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka propozuar në katër muajt e kaluar edhe dy plane të tjera të sekuencimi e të cilat janë refuzuar nga z. Lajçak, Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dytë thanë që ky plan është shumë jorealist dhe rrjedhimisht e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pasekuencuar i pikës së negocimit të statutit të një asociacioni të komunave. Aty e shtrova pyetjen se cila pikë, sipas tyre, e këtij propozimi të sekuencimit, nuk është e parashikuar në Marrëveshjen Bazike?! Nuk morra asnjë përgjigje, për shkak të një fakti të thjeshtë: çdo pikë e planit tim të sekuencimit të propozuar aty buronte në mënyrë eksplicite nga shkronja e secilit nen të Marrëveshjes Bazike. Nuk kisha shpikur e as shtuar asgjë. Çdo gjë që shkruhej në propozimin tim ishte e miratuar nga të gjithë ne më 18 mars të këtij viti në takimin që rezultoi me marrëveshjen në Ohër. Pasi u refuzova në sintoni nga Vuçiqi e Lajçaku, atyre të dyve iu shtrova një pyetje bazike: iu thash, nëse po refuzoni propozimin tim, atëherë më thoni nëse Serbia ka bërë ndonjëherë ndonjë propozim të një plani të sekuencimit? Z. Lajcak tha që po, me një bindje të plotë, Serbia [tha ai] ka sjellë propozimin e saj gjithashtu. Unë insistova ta shoh atë dokument. Propozimin tim e kishim para vetes, propozimin e Serbisë nuk e dinim.

Nuk m’u dha ai dokument, dhe pas shumë insistimeve pas përfundimit të takimit të fundit bilateral, m’u soll një dokument që m’u tha se është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit.

Mbledhja përfundoi aty. Vuçiqi doli në një konferencë për media dhe paralajmëroi atë që ndodhi një orë më pas, tha që Kurti do kritikohet për shkak të refuzimit të propozimeve të ndërmjetësuesit Lajçak. Paralajmërimin e Vuçiqit e dëgjova fjalë për fjalë në konferencën për media të Përfaqësuesit të Lartë Borrell.

Pasi analizuam dokumentin që Lajçaku më thoshte që është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit, kuptova nga përmbajtja e atij dokumenti e të cilin e keni edhe ju të gjithë tani, që një pretendim i tillë i Lajçakut ishte në rastin më të mirë i pavërtetë. Ai dokument dukej që ishte dorëzuar në kohën e negociatave para Ohrit, madje para miratimit të Marrëveshjes Bazike dhe Serbia nuk kishte sjellë asnjëherë asnjë propozim për sekuencim të Marrëveshjes Bazike.

Mos sjelljen e një propozimi të tillë, ndërmjetësi Lajçak e kishte fshehur në përmasa të tilla që ta amnistonte qëndrimin refuzues ndaj Marrëveshjes për të cilën Vuçiq fliste çdo javë pas datës 18 mars. E keni parasysh edhe konferencën e tij, të datës 24 prill, kur thoshte që Marrëveshjen e pranon vetëm në koncept, jo në përmbajtje dhe se zbatimin e saj e mendon me kufizime, pra jo të plotë.

E kuptova pra që ai dokument i Serbisë, i cili që në titull tregonte synimin për ta shpërfillur Marrëveshjen Bazike – “Së pari zbatimi i Asociacionit e pastaj diskutimi për Planin e Propozuar nga Bashkimi Evropian” -, në fakt ishte shndërruar në qëndrim të Lehtësuesit apo Ndërmjetësit Lajçak. Si i tillë, Lajçaku dhe Vuçiqi duket sikur të kenë qenë të koordinuar me një qëllim të vetëm: të bëjnë të mundur të pa mundur skenar në të cilin Marrëveshja zbatohet të plotëni, dhe t’i japin jetë një skenari alternativ ku vetëm gjysma e Marrëveshjes zbatohet e gjysma tjetër, ajo që përbën pjesën më civilizuese të marrëdhënieve të mira fqinjësore, demokratike dhe evropiane, mospërfaqësimin e njëra-tjetrës në marrëdhënie ndërkombëtare, e të tjera, të mos zbatohet asnjëherë.

Refuzimi nga ana ime i një skenari të tillë është një veprim fillimisht logjik, pastaj tregues i përgjegjësisë politike ndaj Republikës që përfaqësoj e gjithashtu edhe tregues i respektit për vlerat e Bashkimit Evropian, të cilat mishërohen pikërisht në nenet 1 deri në 5 të Marrëveshjes Bazike që Lajçaku e Vuqiçi donë t’i bëjnë të zhduken nga plani i zbatimit. Të thuash që një marrëveshje meriton të zbatohet vetëm në gjysmën e saj është e njëjtë sikur të thuash që marrëveshja duhet mbytur.

Prandaj, unë nuk e pranova një skenar të tillë, sepse për mua dhe për Këshillin Evropian, një marrëveshje e tillë ekziston dhe nuk mund të zhbëhet nga askush.

Pasi përfunduan takimet dhe pas daljes sime në medie në Bruksel ku e ekspozova këtë skenar të pakuptimtë në të cilin synimi është të mbytësh tërë Marrëveshjen Bazike përveç asociacionit, ndërmjetësi lëshoi për media një dokument sekuencimi për të cilin u tha që “Vuçiqi e pranoi e Kurti e refuzoi”. Një informacion i tillë është tërësisht i pavërtetë, shtuar këtu që në atë plan të Lajçakut zbatohet pikërisht ajo që Serbia e kërkonte në dokumentin e saj që e përmenda më herët.

Si mund të paraqitet një dokument në takimin e datës 14 shtator kur në të njëjtin dokument shkruante që datë e tij është 19 korriku i këtij viti, datë kur ka pasur një takim kryenegociatorësh Bislimi e Petkoviq në Bruksel?! Dokumenti i tillë i Lajçakut ishte refuzuar që në atë datë që shënonte, pra me 19 korrik, pra ishte refuzuar menjëherë nga kryenegociatori, Zëvendëskryeministri Bislimi në takimin e Brukselit të para dy muajsh. Pse e gjithë kjo katrahurë informacioni nga zyra e Lajçakut? Këtë besoj e kupton çdokush, sepse është e qartë që informacioni nga zyra e Lajçakut është i tillë, që nuk çanë kokën për neutralitetin e tij dhe për ta mbrojtur gjithpërfshirjen e planit të zbatimit të sekuencuar dhe përfunduam paradoksalisht në një situatë ku paralajmërimet e Vuçiqit përputhen me ato që më pas thotë ndërmjetësi.

Mё lejoni tё përfundoj këtë fjalë timen hyrëse me konstatimin që me 14 shtator pati njё pozicionim tё qartё tё ndërmjetësit kundër Kosovës nё përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti. Kështu, ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilën jemi, vlerësoj që nuk mund të shtrembërohem në gjykimin tim me asnjë hedhje e hirit syve. Ose do e zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësinë, në plotninë e saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e Pavarur e Kosovës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë.

(Kosova Sot Online)