Dëmi mbi 400 mijë euro, detaje për aksionin ku u arrestuan 10 persona

  • E.K /
  • 19 September 2023 - 11:25
Dëmi mbi 400 mijë euro, detaje për aksionin ku u arrestuan 10 persona

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka treguar detaje për aksionin ku u arrestuan 10 persona në lokacione të ndryshme në Kosovë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas policisë ata dyshohen për veprat penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327 dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Në njoftim thuhet se nga ky aksion i realizuar janë sekuestruar prova të ndryshme.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar me zbatimin e urdhër-kontrollit në 14 lokacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, dhe atë në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan, për shkak të dyshimit të veprave penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327 dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje nga prokuroria njoftojnë se në këtë rast janë të dëmtuara katër institucione financiare dhe vlera e dëmit e shkaktuar deri më tani tejkalon shumën prej 400.000€.

“Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dhjetë (10) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura, e në të cilin rast aktualisht janë të dëmtuar katër (4) institucione financiare dhe vlera e dëmit e shkaktuar deri më tani tejkalon shumën prej 400.000€ (katërqind mijë euro). Po ashtu, nga ky aksion i realizuar janë sekuestruar prova të ndryshme të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, si dhe dobi pasurore e përfituar nga veprat penale të lartcekura”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Sot Online)