Daçiq i vardiset Vuçiqit, thotë se mbajti fjalim të fortë në OKB

  • S.A /
  • 22 September 2023 - 12:38
Daçiq i vardiset Vuçiqit, thotë se mbajti fjalim të fortë në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se nga “përvoja e gjatë” e tij ka ardhur në përfundim se presidenti Aleksandar Vuçiq,  ka mbajtur ”fjalimin më të fortë” para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, transmeton "Kosova Sot Online ".

Duke aluduar për Kosovën, Daçiq tha se Vuçiq theksoi qartë se Serbia është e përkushtuar ndaj Kartës së OKB-së, përkatësisht parimeve të asaj karte kur bëhet fjalë për integritetin territorial dhe sovranitetin.

“Unë kam ardhur këtu për një kohë shumë të gjatë si ministër i punëve të jashtme, më tepër si kryeministër dhe nga aspekti i asaj eksperience dhjetëvjeçare dhe të gjitha fjalimeve që kam dëgjuar, ky është fjalimi më i fortë dhe më i mirë i mbajtur nga një president serb këtu në ndërtesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Mendoj se kjo është e një rëndësie vendimtare për ne, sepse presidenti përmblodhi atë që është problemi kryesor – interpretimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, domethënë që fuqitë e mëdha e interpretojnë atë me standarde të dyfishta, se nga njëra anë qëndrojnë për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe se në anën tjetër kur përmend Serbinë thonë se nuk është e njëjta gjë”, tha Daçiq, raporton Danas.

Sidoqoftë, Daçiq e bëri me dije se nuk do të ndahen nga Kina e Rusia për shkak të Perëndimit.

“Ne e respektojmë Kartën e OKB-së, jemi në rrugën evropiane, por kjo nuk mund të jetë në kurriz të miqësive tona tradicionale me vendet që mbrojnë integritetin tonë territorial”, tha ai.

Për realitetin e Kosovës kanë folur dy aleatët e Kosovës, Shqipëria e Kroacia, presidentët e të cilave bënë thirrje për njohje universale të pavarësisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online )