Rasti i “53-milionëshit”, Haradinaj dëshmon për projektin me “Bechtel-Enkan”

  • S.A /
  • 29 September 2023 - 12:05
Rasti i “53-milionëshit”, Haradinaj dëshmon për projektin me “Bechtel-Enkan”

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “53 milionëshi”, ka filluar dëshminë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në cilësinë e dëshmitarit tha se bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e projektit, e konsideron të drejtë vendimin për zgjidhjen e çështjes me “Bechtel-Enkan”. “Po, bazuar në procedurat e vendimmarrjes së brendshme për mbylljen e projektit që ka qenë në tavolinë. Arsyeja është se projekti në fjalë, në gjendjen e atëhershme nuk mund të vazhdonte pa e definu konkluzionin për obligimin financiar”, tha Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Eset Berisha lidhur me atë se a konsideron se ka qenë vendimi i drejtë për zgjidhjen e çështjes me “Bechtel-Enkan”.

Ndërsa, i pyetur se a ndjehet i lajthitur apo mashtruar nga ministri Pal Lekaj, Haradinaj tha se Kryetari i Qeverisë merr vendime në bazë të ngritjes së çështjes nëpër etapat e veta, raporton Betimi për Drejtësi. “E nderuar gjykatëse të nderuar gjykatës të trupit gjykues, kryetari i Qeverisë merr vendime në bazë të ngritjes së çështjes nëpër etapat e veta”, tha Haradinaj. Haradinaj tha se vendimmarrjen e ka vetëm përfaqësuesi i vendimit, ministri ose zëvendësministri. “Vendimmarrjen e ka vetëm përfaqësuesi i vendimit. Ministri ose i delegumi nga ministri në këtë rast zëvendësministri. Të drejtën e ndihmesës për ekspertizë vijnë zakonisht nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, këshilltarët profesionistë ose ata të lidhur me temën që ka qenë në praktikë për me pas më shumë njerëz. Pra, të gjithë ata janë ata që kanë qenë në atë kohë”, shtoi ai.

Ndërsa, kur u pyet se a konsideron që ka pasur të gjitha materialet mbështetëse të nevojshme për marrjen e vendimit nga Qeveria për aprovimin e kërkesës së Bechtel-Enkas, kjo pyetje u kundërshtua nga prokurori Atdhe Dema.

Prokurori tha se kundërshtimi bazohet në mënyrën e parashtrimit të pyetjes, sepse dëshmitari nuk mund të pyetet se a konsideron se ka pranuar dokumente të mjaftueshme.

Po ashtu, Haradinaj tha se konfirmon që Qeveria e ka votuar obligimin financiar ndaj operatorit dhe se e mbështet të gjithë procesin e vendimmarrjes.

“Ju foli për praktikat e përpunimit, përgatitjes, për vendimmarrje dhe mënyrën e marrjes së vendimit, të gjitha aspektet e tjera i mbështetëse: transkriptën, dokumentacionin dhe të gjitha shkresat që ekzistojnë në lëndë se lënda ka kaluar në etapat e veta të arritjes së vendimmarrjes, pra i mbështes të gjitha. Nuk mundem me hy me spjegu kjo, ajo, numri, ajo. Por, të gjithë lëndën, të gjithë procesin për vendimmarrje e mbështes dhe e konfirmoj që Qeveria pra e ka votu obligimin financiar ndaj operatorit”, u shpreh ai.

I pyetur se a e ka pasur kontratën bazë, Haradinaj tha se në lëndën për vendimmarrje janë diskutuar këto gjëra, mirëpo që në këtë kohë e ka të pamundur ta ndihmojë gjykatën me një përgjigje.

“Me siguri se në lëndën për vendimmarrje janë diskutu këto, por unë e kam të pamundur me e ndihmu gjykatën. Këto detajet nuk i mbaj mend. Nëse ka shkresa që ka qenë kjo, është thënë ajo, i mbështes”, tha Haradinaj.

(Kosova Sot Online )