
Kurti: Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për atë që ka kryer më 24 shtator

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me dy senatorët amerikanë në konferencë për media ka thënë se qëllimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë aneksimi i gjithë veriut të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka thënë se përfshirja e Serbisë në këtë sulm ka ndodhur së paku në katër shtresa.
“Sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e krejt veriut përmes sulmeve të koordinuara në 37 vende, përmes krijimit të një koridori me Serbinë për t’u furnizuar me armë dhe trupa ushtarakë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se heroi i vrarë, Afrim Bunjaku nuk mund t’iu kthehet as familjes e as shtetit, porse në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtar duhet të parandalohen sulmet e tilla në të ardhmen.
Kryeministri Kurti ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdoj duke i injoruar sulmet terroriste të Serbisë ndaj Kosovës.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE nuk mund të vazhdoj thua se s’ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vazhdojmë punën dhe këtë status quo edhe më tutje, kapitulli i dialogut duhet të merr parasysh edhe veprimet sulmuese e agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Tutje kryeministri ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për atë që ka kryer më 24 shtator në veri të vendit, ose përndryshe sulmet mund të rishfaqen.
“Institucionet e inteligjencës sonë kanë vërejtur se ka pasur rritje të rrezikut për sulme nga Serbia dhe qëllimi i këtyre grupeve është të portretizohet Kosova thua se ka force kundër serbëve. Unë jam kryeministër i gjithë Kosovës, i të gjitha komuniteteve prandaj të gjitha këto përpjekje për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për ndryshe këto sulme agresive do të vazhdojnë edhe më tutje”, ka deklaruar kryeministri.
(Kosova Sot Online)