AUV njofton se janë mbyllur pesë lokale 'Fast Food'

  • A.P /
  • 16 October 2023 - 18:06
AUV njofton se janë mbyllur pesë lokale 'Fast Food'

Në aksionin e inspektimeve në regjionin e Prizrenit, janë mbyllur pesë lokale “Fast Food” (ushqime të shpejta) dhe janë iniciuar gjashtë kundërvajtje, ka njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në komunikatën për media të AUV-it, thuhet se për inspektimin e lokaleve të gastronomisë të cilat shërbejnë ushqime të shpejta janë angazhuar gjashtë ekipe dhe janë zhvilluar 28 inspektime.

Sipas AUV-it, inspektimet janë zhvilluar sot në komunën e Prizrenit dhe atë të Malishevës.

“Është arritur të realizohen 28 inspektime të detajuara sipas urdhrit të Ministrit të MBPZHR-së dhe Drejtorit Ekzekutivë të AUV-së. Nga 19 inspektimet në Prizren dhe 9 inspektimet në Malishevë janë mbyllur 5 lokale. Janë iniciuar 6 lëndë kundervajtëse. Në dy raste janë shqiptuar gjoba mandatorë. Po ashtu janë asgjësuar 4 kg mish produkte mishi, 33 kokrra vezë dhe 1 kg salcë (sosë)”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se aksionet do të vazhdojnë në gjithë territorin e vendit.

“Secili subjekt qe vendos ne treg produkte ushqimore në kundërshtim me rregullat ligjore do të sanksionohet. Ruajtja e shëndetit të qytetareve është prioritet dhe synim kryesor i AUV-së”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)