Emanuel Macron goditje serioze kundër Aleksandër Vuçiqi: T’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit, më pas zgjedhjet në veri dhe Asociacioni

  • S.A /
  • 17 October 2023 - 12:11
Emanuel Macron  goditje serioze kundër Aleksandër Vuçiqi: T’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit, më pas zgjedhjet në veri dhe Asociacioni

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duhet “ti dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit” për ta rikthyer qetësinë në kufi, transmeton "Kosova Sot Online".

Macron në një konferencë të përbashkët për media së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama në Tiranë tha se më pas presin riorganizimin e zgjedhjeve në veri, kthimin e serbëve në institucione dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët”, tha fillimisht Macron.

“Mendoj se është përgjegjësi e z. Vuçiq që t’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas, etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucioneve, njohjen e Asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare, kësaj radhe plotësisht dhe totalisht”, theksoi presidenti francez.

“Pres që presidenti Vuçiq të jetë i përgjegjshëm. Pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar”, tha Macron.

(Kosova Sot Online )