BE premton 50 milionë euro ndihmë shtesë humanitare për Gazën

  • E.K /
  • 27 October 2023 - 08:36
BE premton 50 milionë euro ndihmë shtesë humanitare për Gazën

Bashkimi Evropian do të sigurojë 50 milionë euro (rreth 52 milionë dollarë) ndihmë humanitare shtesë për Gazën, tha të enjten presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel pas ditës së parë të samitit të liderëve të BE-së, Von der Leyen tha se 56 tonët e parë metrikë të ndihmës nga BE tashmë janë dorëzuar në Gaza përmes dy fluturimeve në Egjipt.

Gjatë takimit të tyre të enjten, liderët evropianë shprehën shqetësimin për përkeqësimin e situatës në Gaza dhe kërkuan që ndihma të arrijë tek ata në nevojë përmes “korridoreve humanitare dhe pauzave për nevoja humanitare”, duke mos kërkuar një armëpushim.

Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michel theksuan të dy angazhimin e bllokut për të adresuar krizën humanitare.

BE është në kontakt “me liderët në rajon për të inkurajuar zgjidhje në frontin humanitar dhe lirimin e pengjeve”, tha Michel.

I pyetur nëse përfaqësuesit e Hamasit do të marrin pjesë në një konferencë të ardhshme që synon zgjidhjen e konfliktit, Michel tha se ai “nuk sheh ndonjë rol” për grupin, duke përmendur përcaktimin e tij si një organizatë terroriste.

(Kosova ot Online)