Dushan Janjiq godet presidentin serb: Vuçiq e ka ditur për sulmin në Banjskë, ose do të bashkëpunojë ose përfundon si Millosheviqi

  • S.A /
  • 30 October 2023 - 12:23
Dushan Janjiq godet presidentin serb: Vuçiq e ka ditur për sulmin në Banjskë, ose do të bashkëpunojë ose përfundon si Millosheviqi

Kryetari i Forumit serb për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka thënë se bisedimet mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me liderët evropianë në Bruksel, megjithëse përfunduan pa marrëveshje, në një farë mënyre treguan një ndryshim në metodologjinë e punës dhe formatin de facto, sepse tashmë janë harmonizuar mesazhet e evropianëve, amerikanëve dhe britanikëve, transmeton "Kosova Sot Online".

“KUINT-i ka ndihmuar, ka asistuar, mirëpo tani KUINT-i është përfshirë drejtpërdrejt, që do të thotë se ata (Londra, Uashingtoni dhe Brukseli) arrijnë një mesazh dhe e dërgojnë atë me një zë. Më parë, ishte, Gjermania dërgonte një mesazh, Mogherini një tjetër, një të tretë…, kështu bëhej edhe në kohën e Catherine Ashton. Kur vjen një mesazh, kjo është eksperiencë jo vetëm e Ballkanit, atëherë këta, le te themi lojtarët e rinj siç janë këta të tonët në raport me këtë, përshtaten dhe nuk kane vend për manovrim”, ka thënë Janjiqi.

Ai thotë se ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit janë “kolateral i politikave të gabuara”.

“Do ta përsëris atë që thashë po atë natë kur Vuçiqi doli me këtë tregim. Nëse ai nuk e dinte, është edhe më keq. Kjo do të thotë se ai nuk është në nivel të jetë president i vendit dhe të kontrollojë procesin. Dhe nëse ai e dinte dhe nuk e pengoi këtë, atëherë ai ka përgjegjësi dhe, nëse ai e dinte ose ka marrë pjesë pjesërisht, gjë që është e vërtetë, atëherë sigurisht që ai tani po udhëheq këtë politikë – ju keni dy opsione, njëra është një politikë për të qoni inat si Dodiku dhe në fund do t’ua marrin të drejtat civile dhe të gjitha. Këtë ka bërë edhe Millosheviqi, të bombardoheni dhe të gjykoheni në ndonjë mekanizëm të posaçëm ose një mundësi tjetër, në të cilën, siç duket Beogradi po shkon shumë ngadalë – bashkëpunimi”, ka thënë Janjiq

Sipas tij, qëllimi i aksionit në Banjskë ka qenë planifikimi i kryengritjes, i cili u pengua.

“Të presim gjykimin dhe do të shihet se plani ka qenë ndezja e një zjarri të vogël, përhapja e tij dhe ruajtja sa më e tensionuar e situatës së sigurisë në veri dhe pastaj negocimi për ndryshimin e kufijve”, ka  thënë Janjiq.

Janjiqi beson se gjykimi i pjesëmarrësve në rastin Banjskë do të zhvillohet në Gjykatën Speciale në Beograd me monitorim të EULEX-it.

“Do të bëhet në Beograd. Monitorimi do të bëhet nga EULEX-i, por ambasadat e EULEX-it do t’i raportojnë autoriteteve të Kosovës dhe do t’i transferojnë dokumentet, dhe vëzhguesit do të jenë nga të gjitha vendet e KUINT-it. Ky është vetëm një detaj, ajo çfarë është më me rëndësi këtu është parandalimi që diçka e tillë mos e përsëritni më”, ka përfunduar Dushan Janjiq.

Duke komentuar mënyrën e evakuimit të një grupi të serbëve të armatosur, të cilët, sipas pretendimeve të kryeministrit Albin Kurti në atë kohë, ishin të rrethuar nga policët e Kosovës, Janjiq thotë se është e qartë se evakuimi i tyre është dakorduar me KFOR-in.

(Kosova Sot Online )