Regjistrimi falas i automjeteve nga ato me targa ilegale në RKS, Rashiq: Vendimi vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve nga veriu

  • S.A /
  • 31 October 2023 - 12:00
Regjistrimi falas i automjeteve nga ato me targa ilegale në RKS, Rashiq: Vendimi vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve nga veriu

Ministria e Punëve të Brendshme një ditë më parë ka bërë të ditur se të gjithë personat që kanë automjete me targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023, transmeton "Kosova Sot Online ".

E pas këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës ka shkruar sot ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.

Ministri Rashiq në një postim në Facebook shkruan se ky vendim ka ardhur pas kërkesave të shumta të qytetarëve, kryesisht nga veriu i Kosovës, dhe si i tillë është një tjetër dëshmi e pragmatizmit dhe punës, në përputhje me nevojat e bashkëqytetarëve. “Njoftojmë qytetarët se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 30 tetor 2023 është marrë vendimi 1/170 që të shtyhet afati për para-regjistrimin e automjeteve dhe t’u mundësohet atyre që posedojnë targa të qytetit të Kosovës të lëshuara nga Republika e Serbisë që të kaloni në RKS deri më 1 dhjetor 2023. Ky vendim i Qeverisë vjen pas kërkesave të shumta të qytetarëve kryesisht nga veriu i Kosovës, dhe si i tillë është një tjetër dëshmi e pragmatizmit të punës sonë, në përputhje me nevojat e bashkëqytetarëve tanë”, shkruan ai.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri me datë 1 dhjetor 2023.

Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

MPB-ja thekson se bazuar në vendimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës të gjithë ata që janë të pajisur me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga data 10 qershor 1999 deri me 21 prill 2022, mund të bëjë regjistrimin me targa RKS nga data 1 nëntor 2023, deri me 1 dhjetor 2023.

(Kosova Sot Online )