Kurti: Vuçiq donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në

  • A.P /
  • 15 November 2023 - 22:31
Kurti: Vuçiq donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën austriake “DerStandard”, ku ka folur ndër tjerash për dialogun me Serbinë, zgjedhjet potenciale në veri të Kosovës, çështjen e sigurisë në veri të vendit pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, si dhe për aspiratën e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Kurti ka përsëritur edhe njëherë që ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por thotë se Serbia po e refuzon këtë.

Për refuzimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Kurti ka thënë se ai donte “nënshkrim ndaras me Bashkimin Evropian”, për këtë Kurti shtoi se “Kosova dëshiron normalizim me Serbinë, pasi me BE-në janë raporte të normalizuara”.

Madje kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se Vuçiq kërkonte që të ketë një fletore ku thuhet se “Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet”.

“Kam dashur të nënshkruaj edhe marrëveshjen kornizë me Serbinë edhe këtë propozim. Por Vuçiq donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në. Por nuk kam për të normalizuar marrëdhëniet me BE-në, por ato me Serbinë! Vuçiq ka kërkuar edhe një fletore ku thuhet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, se Kosova nuk do të ketë vend në Kombet e Bashkuara dhe se Serbia nuk do ta pranojë integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Kurti ndër tjerash.

Më tutje, Kurti ka folur për qasjen e Serbisë ndaj dialogut, duke thënë se Beogradi ka më shumë dashuri e frikë ndaj Moskës sesa ndaj Bruksleit. Për këtë thotë se sa herë “Beogradi shkelë marrëveshjet nuk ka reagime”.

”Negociatorët më pyetën se çfarë mendoja për këtë. Thashë që arbitri duhet të bilbil nëse ka pasur shkelje të marrëveshjes. Sa herë që Beogradi shkel marrëveshjen, bilbili nuk do të fryhet. A mund ta imagjinoni një arbitër që ka humbur bilbilin dhe tani thjesht ndjek lojtarët? Kjo ndoshta ka të bëjë me politikën e qetësimit. Por për shkak se Perëndimi është kaq i butë ndaj Serbisë, në mënyrë paradoksale po e shtyn atë drejt Rusisë, edhe pse synohet e kundërta. Sepse Beogradi ka më shumë dashuri dhe frikë ndaj Moskës sesa Brukselit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, për situatën në veri të Kosovës, Kurti ka thënë se ka një procedurë që komunat veriore të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, 20 për qind e atyre me të drejtë vote duhet të dorëzojnë peticion. Unë nuk mund ta bëj këtë në emër të tyre. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që bojkotet të mos përsëriten. Në mars, partia Lista Srpska bojkotoi zgjedhjet. Nuk dua kryebashkiakë shqiptarë në veri – siç është aktualisht. Ata kanë pak legjitimitet politik për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, pavarësisht se janë plotësisht të ligjshëm. Megjithatë, Beogradi nuk është i interesuar për pjesëmarrjen demokratike të serbëve në Kosovë, sepse dëshiron kompensim territorial për humbjen e Jugosllavisë”, ka thënë Kurti.

Gjatë intervistës, Kurti është pyetur edhe për situatën në veri të Kosovës, sidomos pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Ai ka thënë e forcat e udhëhequra nga NATO janë të stacionuara në Kosovë, duke thënë se Serbia donte një konflikt të hapur.

“Serbia ka qëndrim të ngjashëm ndaj Kosovës si Rusia ndaj Ukrainës. Megjithatë, trupat e KFOR-it të udhëhequra nga NATO janë të stacionuara këtu – dhe kjo ishte padyshim një faktor vendimtar që Serbia të mos pushtonte më 24 shtator. Sepse kjo ishte ideja. Serbia mblodhi trupa në kufi. Ajo donte qartë një konflikt të madh për një periudhë më të gjatë kohore, duke pasur parasysh se kishte sjellë mbi pesë milionë armë dhe municione të prodhimit serb në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës”.

Kurti ka folur edhe për aspiratën e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.

“Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)