Faton Bislimi ankohet pasi nuk arriti t’i futet garës për ta rivalizuar Abdixhikun

  • A.P /
  • 19 November 2023 - 15:07
Faton Bislimi ankohet pasi nuk arriti t’i futet garës për ta rivalizuar Abdixhikun

Pëlqimet që Faton Bislimi i mori në postimin e tij në Facebook, kur bëri të ditur kandidimin për kryetar të LDK-së, nuk i ndihmuan në Kuvendin e 10-të Zgjedhor të kësaj partie, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai nuk arriti t’i futet garës për ta rivalizuar Lumir Abdixhikun, pasi nuk ishte as delegat në Kuvendin e 10-të të LDK-së dhe sipas statutit të partisë, Bislimit nuk i lejohet kandidimi për kryetar.

“Norma e statutit të LDK-së nënkupton që secili anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që dëshiron të zgjedhet, ai duhet të fillojë procesin nga struktura bazë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është nëndega”, tha anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj. “Prandaj, që ta keni të qartë të gjithë delegatët, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës zgjidhet në pajtim me Kushteutën, në pajtim me statutin e LDK-së dhe në pajtim me rregulloren, duhet të jetë delegat i zgjedhur i Kuvendit të LDK-së”, shtoi ai.

Menjëherë, Bislimi u çua për t’u ankuar para Kryesisë së Punës të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, por pa rezultat.

Sipas rregullave të brendshme të partisë, kandidimi duhet të bëhet vetëm gjatë punimeve në Kuvend dhe pastaj Kuvendi zgjedh komisionin kandidues.

Statuti e saktëson se delegatët e kanë autoritetin për kandidaturat.

Në Kuvendin e përbërë nga 333 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë, 331 votuan kundër tij.

(Kosova Sot Online)