I sanksionuari nga ShBA’ja Nexhat Krasniqi përjashtohet nga shërbimi civil

  • S.A /
  • 22 November 2023 - 12:03
I sanksionuari nga ShBA’ja Nexhat Krasniqi përjashtohet nga shërbimi civil

I sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nexhat Krasniqi, është përjashtuar nga shërbimi civil. Vendimi është marrë sot nga Komisioni Disiplinor brenda Ministrisë së Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, transmeton "Kosova Sot Online".

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri Liburn Aliu, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

“Me datën 3 nëntor jemi njoftuar nga State Departmenti që për z.Krasniqi ka masë nga Shtetet e Bashkaura të Amerikës dhe në po të njëjtën ditë është marrë vendimi i pezullimit nga pozita. Që nga ajo ditë e deri më sot kemi arrit në pozitën kur z.Nexhat Krasniqi, me vendimin e Komisionit Disiplinor, është heq nga shërbimi civil. Në ndërkohë më 15-11 është vendosur në pozitën U.D të përkohshme për të cilën pastaj do të hapet konkursi për 2 pozitat dhe me datën 20 nëntor është vendos, është bërë kërkesë nga Komisioni Disiplinor për ta marrë vendimin që është marrë sot me datë 22”, ka thënë Aliu.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit më 3 nëntor 2023, ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-zyrtar i prokurimit në Ministri të Tregtisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Atij i është ndaluar hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

Pas saksionimit të Krasniqit, kishte reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Sipas tij, saksionimi i Krasniqit tregon se sa me seriozitet e trajtojnë çështjen e korrupsionit.

“Ky njoftim rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen e ardhshme kriminale duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit”, kishte shkruar Hovenier në Twitter.

(Kosova Sot Online )