Ndërprehet seanca ndaj ish-kryetarit të Malishevës dhe tjerëve, kjo është arsyeja

  • S.A /
  • 29 November 2023 - 12:41
Ndërprehet seanca ndaj ish-kryetarit të Malishevës dhe tjerëve, kjo është arsyeja

Për shkak se mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar kohë për trajtimin e elaborimit të provave të propozuara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe për t’i paraqitur vërejtjet ndaj tyre, është ndërprerë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve, transmeton "Kosova Sot Online".

Në këtë rast, për korrupsion për shkak të shpronësimeve dhe shpalljes së ‘Zonës ekonomike” të Malishevës po akuzohen ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj bashkë me ish-ministrin Bajram Hasani e zëvendësministrin Faton Thaqi. Pjesë e aktakuzës për korrupsion janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi.

Ndërsa, Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozimin për ndërprerjen e seancës e ka bërë fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Begaj, avokati Rrahman Kastrati, pas pranimit të elaborimit të provave përmes një shkrese në këtë seancë.

Sipas avokatit Kastrati, shkresa është e përbërë nga 27 faqe dhe se e njëjta duhet të trajtohet.

“Na duhet kohë që t’i shqyrtojmë edhe për seancën e radhës të jemi të gatshëm dhe përgatitur siç duhet”, tha avokati Kastrati.

Propozimin e Kastratit e përkrahën edhe mbrojtësit e të akuzurve të tjerë. Kurse, prokurorja Habibe Salihi kërkoi nga trupi gjykues që ky propozim të refuzohet.

“Çështja e elaborimit të provave i takon prokurorit dhe është shumë kërkesë e paarsyeshme që të shtyhet seacna me qëllim që t’i jepet mudësia ta vlerësojnë elaborimin e provave, kur dihet se provat të cilat i kanë posedu kanë pas mundësi t’i vlerësojnë me kohë”, tha ajo.

Ndryshe, para këtij propozimi, mbrojtja ka deklaruar se nuk e ka pranuar përmes e-mailit shkresën, ku është bërë elaborimi i provave. Andaj, gjatë seancës iu dorëzua nga një kopje fizike e kësaj shkrese.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 1 korrik 2021, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë.

(Kosova Sot Online )