Shala nga IKD: Janë miratuar shumë ligje që kanë probleme serioze kushtetuese

  • S.A /
  • 05 December 2023 - 12:22
Shala nga IKD: Janë miratuar shumë ligje që kanë probleme serioze kushtetuese

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën gjatë diskutimit në tryezën e organizuar me temën “Reforma në Drejtësi”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, ka thënë janë miratuar shumë ligje që kanë probleme serioze kushtetuese e që normalisht pastaj ato shkojnë në Gjykatën Kushtetuese, transmeton "Kosova Sot Online".

Specifikisht, Shala ka përmendur Ligjin për Pagat, për të cilin ai tha se të gjithë deputetëve ua kanë dërguar komentet lidhur me shkeljet kushtetuese.

“Ua kemi dërguar komentet lidhur me shkeljet konkrete kushtetuese në secilin nen, nuk i kanë shqyrtu ato dhe e kanë miratu këtë ligj, në anën tjetër janë miratuar shumë ligje që kanë probleme serioze kushtetuese dhe që normalisht se ligjet e tilla duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Shala.

Tutje, ai ka thënë se presin nga Avokati i Popullit që në rastet kur nuk veprojnë partitë politike si palë të autorizuara, ta mbrojë kushtetutshmërinë dhe t’i dërgojë ligjet në Gjykatën Kushtetuese.

“Për shkak se asnjë reformë nuk paraqet reformë të mirëfilltë nëse nuk është në përputhje me Kushtetutën. Kur flasim për pavarësinë institucionale është pikërisht Kushtetua e Republikës së Kosovës  që secilit pushtet ia jep pavarësinë e vet”, tha Shala.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën ka organizuar tryezën me temë “Reforma në drejtësi”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”, nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO).

Java Kundër Korrupsion organizohet falë mbështetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

(Kosova Sot Online )