Haxhiu: Po presim dënimet më të larta, krimi mbi Liridonën është alarm që s’duhet të pushojë derisa të ketë drejtësi

  • S.A /
  • 05 December 2023 - 12:34
Haxhiu: Po presim dënimet më të larta, krimi mbi Liridonën është alarm që s’duhet të pushojë derisa të ketë drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën që po mbahet, “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”, ka folur për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj e cila u vra ditë më parë, derisa tha se “ishte një rast tjetër ku kemi të bëjmë me femicid”, transmeton "Kosova Sot Online".

Haxhiu theksoi se pas një pune intensive mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë akterët e vrasjes së 30-vjeçares u arrestuan, teksa shtoi se priten dënimet më të larta për këtë krim.

“Kjo ngjarje e rëndësishme vjen pak ditë pas vrasjes së Liridona Ademajt, një tjetër vrasje e një gruaje e porositur nga bashkëshorti i saj, një tjetër ligësi që sjell vdekjen e një gruaje, një tjetër rast që kemi të bëjmë me femicid. Fatbardhësisht pas një pune intensive, akterët e vrasjes së Liridonës janë arrestuar dhe të gjithë presin dënimet më të larta për kryerjen e ketij krimi më të rëndë”, tha Ministrja.

Haxhiu tha para të pranishmëve në konferencë se si shoqëri s’duhet të jemi të qetë derisa të krijohet një shoqëri ku respektohet dinjiteti i vajzave dhe grave, e se krimi mbi Liridonës është alarm që s’duhet të pushojë derisa të kemi një shoqëri ku ka drejtësi e barazi.

“Dje ja dhamë lamtumirën e fundit Liridonës, por ne si shoqëri s’do të jemi të qetë derisa të krijojmë një shoqëri ku respektohet dinjiteti i vajzave dhe grave dhe jeta e tyre. Krimi mbi Liridonën është alarm qe s’duhet të pushoj derisa të mbrojmë një shoqëri ku ka drejtësi e barazi. Kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe të gjitha gratë tjera që u vranë nga bashkëshortët e tyre”.

“Çështja e dhunës na përket të gjithëve dhe të gjithë kemi përgjegjësi ta luftojmë”, tha Ministrja e Drejtësisë, Albulena HAxhiu.

(Kosova Sot Online )