Kearns: Vuçiçi dhe Serbia do të vazhdojnë t'i financojnë terroristët në Kosovë

  • A.P /
  • 15 December 2023 - 20:00
Kearns: Vuçiçi dhe Serbia do të vazhdojnë t'i financojnë terroristët në Kosovë

Deputetja e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka theksuar se nëpërmjet sjelljes ndaj Serbisë, Perëndimi po tregon se nuk ka marrë mësim nga agresioni i Rusisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kearns shprehu drojën se, shkaku i mosndëshkimit të Beogradit zyrtar, grupe të armatosura serbe jenë aktive në veriun e Kosovës dhe potencialisht drejtohen e financohen nga Serbia.

“Mendoj se ka shqetësime reale se pa llogaridhënie, Vuçiqi dhe shteti serb do të vazhdojnë të financojnë, mbështesin dhe të drejtojnë terroristët që operojnë përbrenda Kosovës. Kjo është ajo që e kemi parë me Rusinë. Ne, si Perëndim, dështuam që ta frenojmë Putinin. Dështuam kur thamë se do të ketë pasoja që do të pasonin. Dështuam ta frenojmë. Nuk guxojmë të lejojmë që kjo të ndodhë në Kosovë dhe sulmi në Banjskë, fakti që ende po jetojmë nën hijen e tij, pa një llogaridhënie, tregojnë se mësimet nuk janë nxjerrë”, tha Kearns.

Deputetja Kearns, e cila e drejton edhe komisionin për punë të jashtme të parlamentit britanik, tha se Perëndimi duhet ta detyrojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, që ta ekstradojë në Kosovë Millan Radoiciqin, i cili mori përsipër sulmin në Banjskë.

“Mjerisht, mendoj se është jashtëzakonisht e pagjasë që Vuçiqi ta bëjë gjënë e duhur dhe ta ekstradojë atë (Radoiçiqin). Sidoqoftë, kjo është edhe arsyeja përse Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë shumë të qartë me Vuçiqin se do të ketë pasoja, po qe se nuk e shohim tek e ekstradon atë. Ne dimë se gjykatat e Kosovës janë legjitime, e dimë se Kosova ka një sistem të mirë policor. Kemi nevojë që të shohim drejtësi”, deklaroi Kearns për kohen.


(Kosova Sot Online)