Pritja shtetërore për fundvit nga ZKM, çka deklaroi Kurti para ambasadorëve e të ftuarve tjerë

  • S.A /
  • 21 December 2023 - 12:42
Pritja shtetërore për fundvit nga ZKM, çka deklaroi Kurti para ambasadorëve e të ftuarve tjerë

Zyra e Kryeministrit ka organizuar mbrëmë pritjen shtetërore për fundvit, ku të ftuar kanë qenë krerë të institucioneve, ministra, deputetë, kryetarë të komunave, prijës fetarë, zyrtarë të shtetit, e ambasadorë e përfaqësues diplomatikë, miq e partnerë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur fjalim, ku ka përmendur edhe sulmet në veri të vendit. “Jemi sulmuar këtë vit në veri të vendit para tre muajve dhe jemi sulmuar para gjashtë muajve. Por jemi mbrojtur suksesshëm e po bëhemi gjithnjë e më të sigurt me policinë dhe ushtrinë tone. Partneriteti dhe bashkëpunimi që kemi pasur të gjithë e me të gjithë pa asnjë dyshim e ka lehtësuar dhe mbështetur rritjen dhe përparimin si në parametra ekonomikë  ashtu edhe në ata demokratikë”, ka deklaruar Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se gjatë këtyre viteve të qeverisjes, i kanë rishpërndarë si qeveri 1.2 miliard euro përmes masave të shumta, duke shtuar se kjo nuk do të thotë qe Qeveria s’ka e s’do të ketë projekte të mëdha publike e kapitale.

“Ju faleminderit për kritikën e u jam mirënjohës për mbështetjen. Përpiqemi shumë për më të mirën, duke mos harruar që qeveria gjithnjë duhet të bëjë edhe më mirë edhe më shumë. Ju uroj mbrëmje të këndshme, krishtlindje të begatshme e vit të ri të suksesshëm – le të bëhemi gati që nesër për 2024-tën. Viti tjetër do t’i ketë 366 ditë, por ky fakt nuk do të jetë i përfillshëm te arritjet në rritje, te sukseset më të shumta”, ka deklaruar Kurti.

Fjala e plotë:

Të nderuar krerë të institucioneve,

Ministra të qeverisë,

Deputetë të Kuvendit,

Kryetarë të Komunave,

Prijës fetarë,

Zyrtarë të Shtetit,

Shkëlqesi ambasadorë,

Miq e partnerë,

Komandantë e oficerë,

Aktivistë e qytetarë,

Zonja e zotërinj,

Jemi bashkë këtu, si rrallë herë në ndonjë ditë kaq johistorike sikurse kjo sot. Rëndom janë datat historike që na bëjnë kështu bashkë. Por sonte është historiku i marrëdhënieve tona institucionale e shtetërore e shoqërore.

Po e përmbyllim edhe një vit tjetër. Jemi përballur me sfida të reja, e me pasoja nga ato të vjetrat. Me shumë përpjekje, me pak ankesa dhe me aspak iluzione. Qeverisja është betejë e vazhdueshme ndërmjet planeve dhe ngjarjeve. Prioriteteve programore dhe urgjencave shpërqendruese. Në thelb është vendosmëria për të ecur përpara e për të shërbyer pavarësisht pengesave, përkundër gjasave e përballë kohës që asnjëherë nuk është e mjaftueshme.

Jemi sulmuar këtë vit në veri të vendit para tre muajve dhe jemi sulmuar para gjashtë muajve. Por jemi mbrojtur suksesshëm e po bëhemi gjithnjë e më të sigurt me policinë dhe ushtrinë tone.

Partneriteti dhe bashkëpunimi që kemi pasur të gjithë e me të gjithë pa asnjë dyshim e ka lehtësuar dhe mbështetur rritjen dhe përparimin si në parametra ekonomikë  ashtu edhe në ata demokratikë.

Fokusi dhe qëllimi i jonë prej fillimit ka qenë që rritjen e ekonomisë ta rishpërndajmë në shoqëri. Ta shpërndajmë tek ata që janë më të rrezikuar. Që u duhet më shumë mburojë e mbështetje, nga shteti. Vendi dhe qytetari ynë ka pasur nevojë për një ndryshim të paradigmës në qeverisjes: nga projektet e mëdha publike ku edhe korrupsioni ishte i madh, në programe të mëdha të mirëqenies, ku shtrirja është e gjerë. Gjatë këtyre 34 muajve qeverisje, teksa po e mbyllim edhe vitin financiar, i kemi rishpërndarë 1.2 miliard euro përmes masave të shumta, të cilat kanë prekur shumëfish, pothuajse çdo familje në Kosovë. Kjo nuk do të thotë që Qeveria jonë nuk ka e nuk do të ketë projekte të mëdha publike e kapitale sepse planet e synimet i kemi gjithsesi të mëdha.

Ju faleminderit për kritikën e u jam mirënjohës për mbështetjen. Përpiqemi shumë për më të mirën, duke mos harruar që qeveria gjithnjë duhet të bëjë edhe më mirë edhe më shumë. Ju uroj mbrëmje të këndshme, krishtlindje të begatshme e vit të ri të suksesshëm – le të bëhemi gati që nesër për 2024-tën. Viti tjetër do t’i ketë 366 ditë, por ky fakt nuk do të jetë i përfillshëm te arritjet në rritje, te sukseset më të shumta.

Gëzuar e ju faleminderit!

(Kosova Sot Online )