Një familjes dy anëtarëshe nga ky vend i Kosovës i vjen fatura e rrymës mbi 200 euro

  • A.P /
  • 27 December 2023 - 19:45
Një familjes dy anëtarëshe nga ky vend i Kosovës i vjen fatura e rrymës mbi 200 euro

Fatura e rrymës për muajin dhjetor, Shaban Dobratiqit i ka shkuar gati trefish më e lartë se në muajin paraprak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga 78 euro sa ka paguar në nëntor, atij do t’i duhet të paguajë 228 euro për muajin e fundit të vitit.

Arsyen, Dobratiqi – i cili jeton vetëm me bashkëshorten e tij në një lagje të Prishtinës – thotë se nuk e di.

“Banesa është e njëjtë, pajisjet elektrike janë të njëjta. Një ngrohje të vogël e përdor… edhe atë katër orë ditën dhe pas orës 22:00 pak më shumë… Dyshoj se faturimi është paushall. Edhe po të doja, nuk do të kisha mundësi të shpenzoja trefish më shumë”, thotë Dobratiqi, i cili tashmë është ankuar në Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

Ngjashëm sikurse atij, Rexhep Kosumit – po ashtu nga Prishtina – fatura e rrymës i ka shkuar me rritje të pashpjegueshme: nga 257 euro për nëntor në 511 euro për dhjetor.

Ai tregon se përdor pajisje elektrike për të ngrohur shtëpinë për familjen e tij 5-anëterëshe.

Mëngjesin e së mërkurës është ankuar, po ashtu, në KESCO.

“Më thanë se i ke shpenzuar të gjitha dhe duhet ta paguaj faturën. Unë nuk e bëra pagesën sot, se po pres ta marr pensionin dhe ta paguaj pjesë-pjesë. Kjo është e papërballueshme”, thotë Kosumi për rel.

(Kosova Sot Online)