Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Konjufca kërkon lirimin e menjëhershëm të tij

  • S.A /
  • 06 January 2024 - 07:54
Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Konjufca kërkon lirimin e menjëhershëm të tij

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj nga policia serbe në pikën kufitare me Serbinë, përkatësisht në Merdar, transmeton "Kosova Sot Online".

Konjufca ka thënë se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

“Arrestimi i papranueshëm në Merdare i ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, nga policia serbe, përbën një sinjal tepër të rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen. E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.

Ai tutje ka thënë se mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin e sulmeve mbi Kosovën.

“Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vijon ai.

Ai tutje ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.

“Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka thënë kreu i Kuvendit.

Tutje Konjufca ka thënë se me këtë akt, qeveria serbe dëshmon se është në përputhje të plotë me politikën e regjimit të Millosheviqit.

“Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka përfunduar ai.

(Kosova sot Online )