Stradner: Situata në Kosovë është e keqe, mund të ketë përshkallëzime

  • E.K /
  • 08 January 2024 - 11:57
Stradner: Situata në Kosovë është e keqe, mund të ketë përshkallëzime

Këshilltarja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, Ivana Stradner, ka folur për situatën në Kosovë pas sulmit në Banjskë.

Stradner në një intervistë pë gazetën malazeze Pobjeda, ka thënë se situata është shumë e keqe dhe se mund të priten përshkallëzime tjera.

Ajo po ashtu ka folur edhe rreth situatës në rajon, zgjedhjet në Serbia dhe tensionet në Ballkanin Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor është larg prioriteteve të Brukselit, dhe veçanërisht të Washingtonit. Ata e shikojnë rajonin ekskluzivisht përmes prizmit të rrethanave gjeopolitike. Nuk ka strategji konkrete për rajonin, përveçse të bëjmë gjithçka për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Aty buron politika e përbuzjes së Vuçiqit dhe e lëshimeve për të mos u inatosur. Kjo nuk është vetëm një politikë ndaj Ballkanit, por edhe ndaj Rusisë, Kinës, Iranit etj. Kështu që askush nuk duhet të habitet. Është pozitive që pas përshkallëzimit të fundit në Kosovë dhe Banjskë, Perëndimi ka hapur sytë dhe sheh sot më shumë se më parë, por kjo nuk mjafton. Me mbështetjen e Moskës, Vuçiç do të vazhdojë të përshkallëzohet – kjo është strategjikisht e rëndësishme për të, sepse duke e çuar rajonin në prag të luftës dhe duke frikësuar Perëndimin, i lejon atij të përdorë situatën si një mjet pazaresh”, tha ajo.

“Nga ana tjetër, Moska nuk ka nevojë të sjellë avionë dhe tanke në rajon. Mjafton të vazhdohet me këto lloj përshkallëzimi që janë në zonën gri dhe pak nën pragun e luftës që të mos shkaktojnë reagim nga perëndimi. Kjo lloj lufte hibride përfshin operacione informacioni që krijojnë një klimë të favorshme për përshkallëzimin që shoqërojnë aktivitetet paraushtarake. Dëgjoj shpesh se Vuçiqit nuk i lejohet të hyjë në luftë me NATO-n dhe se ky është vetëm bllof i tij. Duhet kujtuar se pak muaj më parë u plagosën të paktën 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Çfarë bëri NATO? Asgjë, veç se ka shkruar se është shumë i shqetësuar. Është dhurata më e madhe për Putinin, i cili po përpiqet të tregojë se NATO nuk është gjë tjetër veçse një “tigër letre” dhe nuk do të bëjë asgjë. Aktualisht, Rusia nuk ka forcën për të sulmuar Poloninë ose një vend tjetër të NATO-s në fqinjësi. Por hallka më e dobët e NATO-s është në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Putin nuk ka ambicie strategjike për të pushtuar Ballkanin. Ai ka nevojë për rajonin në mënyrë që të përdorë kaosin në rajon për të shantazhuar Perëndimin se nëse Brukseli ose Uashingtoni nuk duan kaos, duhet të negociojnë me të”, theksoi Stradner.

“Situata në rajon më kujton shumë kaosin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Aktualisht, situata në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë është shumë e keqe dhe mund të priten përshkallëzime të mëtejshme. A mund të rezultojë kjo në një luftë siç e pamë në vitet e 90-ta ? Nuk e di. Por, kjo nuk është as e nevojshme sot për të arritur qëllimet e tjera të Moskës dhe Beogradit. Lufta në zonën gri, e cila është pak nën pragun e konfliktit të armatosur, është çelësi i Ballkanit dhe Putin dhe Vuçiq e dinë mirë këtë”, deklaroi ajo.

(Kosova Sot Online)