E vrau vëllanë dhe ia dogji kufomën, edhe Supremja e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj G.K nga Rahoveci

  • S.A /
  • 11 January 2024 - 12:10
E vrau vëllanë dhe ia dogji kufomën, edhe Supremja e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj G.K nga Rahoveci

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e G.K, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllait të tij. Ankesa ishte paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online "

Ai ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me burgim të përjetshëm, dënim që është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, precizohet se vet i akuzuari, “në mbrojtjen e tij, në deklaratën e dhënë në polici, nuk e ka mohuar kryerjen e veprës penale në drejtim të vëllait të tij, përkundrazi e ka përshkruar në detaje se si e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.K., pastaj se si e ka djegur kufomën dhe si e ka hedhur të njëjtën me qëllim që të fshihen gjurmët e vrasjes. Përveç kësaj, dëshmitarët e familjes së të dënuarit dhe dëshmitarët e familjes së tani të ndjerit, kanë vërtetuar se pikërisht i akuzuari G.K. është personi që e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B., prandaj konkludimet e gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari me dashje direkte e ka privuar nga jeta të ndjerin janë të drejta dhe të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe shkresat tjera të lëndës.”

Sipas Supremes, dënimi i gjykata e shkallës së parë, i vërtetuar edhe me aktgjykimin e shkallës së dytë, është i drejtë, i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të dënuarit, dhe është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit.

(Kosova Sot Online )