Familja kosovare në Zvicër ankohet për mykun në banesë, thotë se po ua sëmurë vajzën 16-muajshe

  • E.K /
  • 18 January 2024 - 10:24
Familja kosovare në Zvicër ankohet për mykun në banesë, thotë se po ua sëmurë vajzën 16-muajshe

Një familje nga Kosova që jeton në Zvicër është duke u ankuar se myku po përhapet në banesën ku jeton dhe po ashtu po ndikon shumë keq në shëndetin e vajzës së tyre 16-muajshe.

Familja Ahmeti jeton në Kaisten AG të Zvicrës. Për gazetën “Blick”, kryefamiljari Liridon Ahmeti, ka thënë se myku në banesën e tij ka vite që po përhapet.

“Kjo për shkak se ka rrjedhje e në disa raste nuk ka izolim”, ka Ahmeti 41-vjeçar.

Ai thotë se gjërat po përkeqësohen e veçanërisht është duke e prekur vajzën e tij 16-muajshe, Asjan.

Ai dhe gruaja e tij 40-vjeçare, Meleqe, që është ndihmës-infermiere, besojnë: “Myku po e sëmurë vajzën”.

Kur gazetarët e “Blick” vizituan shtëpinë, vajza e vogël po kollitej shumë dhe kishte probleme herë pas here me frymëmarrje.

Të paktën në katër dhoma ka rrjedhje, u konstatua gjatë kontrollit.

“Vitet e fundit ka pasur pastrim dhe po ashtu lyerje herë pas here. Por, myku po fillon sërish në tualet”, thotë Ahmeti.

Familja ka edhe dy djem, 11 dhe 15 vjeç.

“Gjatë kontrollit të fundit, na kanë fajësuar se nuk ka ajrosje sa duhet. Por, kjo nuk është e vërtetë”, thotë Ahmeti.

Liridon Ahmeti thotë se banesat në atë zonë janë ndërtuar rreth vitit 1970.

“Ishin të izoluara keq. Është dashur të rinovohen shumë kohë më parë”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se njeh edhe tri familje tjera që kanë probleme po ashtu me myk.

“Një burrë tashmë është larguar. Dy persona tjerë s’po guxojnë të dalin publikisht”, thotë Ahmeti.

Liridon Ahmeti jeton në atë banesë me familjen e tij nga 1 qershori i vitit 2012.

“Myku nisi të shfaqej rreth tri-katër vjet më parë. Ishte në cep të dhomës së gjumit, pranë dritares”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se administrata kishte reaguar shumë mirë në atë kohë dhe u trajtua myku.

“Por, pas tri vjetësh u kthye sërish”, thotë ai.

Por, sërish administrata kishte reaguar mirë e kishte ndërhyrë.

Por, myku kishte nisur të kthehej sërish në dhjetor të vitit 2022 dhe gjërat u përkeqësuan.

“Preku edhe mobiliet dhe rrobat tona”, thotë Ahmeti.

Që nga atëherë, e sidomos këtë dimër, Ahmeti thotë se myku ka nisur të përhapet me të madhe.

Thotë se e ka pastruar në vende të ndryshme. E po ashtu tregon se ka ardhur një ekspert dhe ka shikuar gjithë banesën.

“Nuk i dimë rezultatet”, thotë Ahmeti. Por, situata mbeti njëjtë, se nuk po ajroset sa duhet apartamenti.

Javën e kaluar Ahmeti thotë se kishte folur sërish me administratën.

“Ata thanë se duhet të dërgoja foto. Por, unë kam dëshmuar mjaftueshëm”, thotë Ahmeti.

Ai po thotë se nuk ka para që të angazhojë një ekspert e të dëshmojë se myku është shkaktar që po sëmuret vajza e tij.

Për 41-vjeçarin është e qartë se më nuk ka të ardhme me familjen e tij në atë banesë.

“Por, dua që fillimisht të më paguajnë gjithë dëmin pasuror dhe trajtimin mjekësor të vajzës”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se kjo kushton rreth 10 mijë franga zvicerane.

Ai po ashtu dëshiron që të jetë në gjendje të largohet nga banesa në çdo moment, “pa pasur nevojë të respektojë periudhën e njoftimit”.

Po ashtu thotë se duhet të ketë ulje të kostos së ngrohjes. Nëse do ta padisë administratën këtë do ta vendosë avokati i tij.

Ahmeti ka kontaktuar edhe pronarin e pronës.

“Ai shkroi se nuk mund të fliste. Më vonë tha se unë kam folur tashmë me administratën dhe çështja e mykut ka marrë fund për ta”, tregon Ahmeti.

Kompania përgjegjëse e patundshmërive nuk mund të kontaktohej për një koment nga “Aargauer Zeitung”, gazetë që fillimisht kishte raportuar për rastin. Edhe kur “Blick” e kontaktoi, nuk ishte në gjendje të kontaktohej menaxheri përgjegjës i pallatit.

(Kosova Sot Online)