IPK nis hetimin për mënyrën e trajtimit të rastit nga policia pas vrasjes së të riut në Podujevë

  • A.P /
  • 22 January 2024 - 13:53
IPK nis hetimin për mënyrën e trajtimit të rastit nga policia pas vrasjes së të riut në Podujevë

Lidhur me trajtimin e rastit të tashmë të ndjerit, L.F nga ana e Policisë së Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 IPK thotë se janë duke grumbulluar raportet e provat për të shikuar nga fillimi trajtimin e rastit nga policia në drejtim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes që kishte ndodhur më 14 janar në Podujevë, ku L.F mbeti i vdekur pas dhunës së ushtruar ndaj tij nga dy të rinj.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur  me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së” thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Pra, një vrasje në tentativë e cila ishte regjistruar më 14 janar 2024, e që në këtë rast Policia e Kosovës kishte njoftuar se ishte therur me thikë një person, ndërsa dy persona të dyshuar ishin arrestuar, po del se nuk ishte zhvilluar në këtë mënyrë. Kjo pasi që në këtë rast nuk po dyshohet se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale ndaj një të riut me mjete të forta (shkop druri).

Ndërsa në raportin ditor të Policisë së Kosovës të datës 15 janar thuhet se rasti ishte cilësuar si vrasje në tentativë, ku i riu ishte therur me thikë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje” thuhet në raportin policor të 15 janarit 2024.

Nga një video-incizim që është publikuar në rrjete sociale është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë nga dy persona të dyshuar e më pas ndaj të njëjtit kishin filluar ta godisnin me mjete të forta.


(Kosova Sot Online)