Vdes Moshe Landsman, profesori hebre që bashkëthemeloi Departamentin e Psikologjisë në UP

  • S.A /
  • 24 January 2024 - 12:15
Vdes Moshe Landsman, profesori hebre që bashkëthemeloi Departamentin e Psikologjisë në UP

Ka vdekur në moshën 75-vjeçare profesori Moshe Landsman. Ai ka qenë bashkëthemelues i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, transmeton "Kosova Sot Online ".

Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e Prof. Moshe Landsman. Një figurë që e tejkaloi rolin e profesorit dhe pedagogut, duke u shndërruar kështu në një figurë emblematike i cila ka mbështetur, përkrahur dhe inkurajuar të tjerët.  Para pak ditësh ai ishte në mesin tonë, në ambientet e QKRMT-së, i shoqëruar me qetësinë dhe thellësinë e tij. Për shumë vite, ne si QKRMT, kishim një bashkëpunim të ngushtë me Prof. Moshen”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Prof. Moshe ishte një model i gjallë i humanizmit, përunjësisë dhe filantropisë.

Landsman ishte vlerësuar vjet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me çmim nderi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e psikologjisë.

Në shkurt të vitit të kaluar, ai ishte pritur në zyre nga Kryeministri Albin Kurti. Lidhja e Landsman me Kosovën daton që nga paslufta kur ai për herë të parë erdhi të ndihmonte të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, i pari i pas-luftës në Kosovë, Dr. Landsman ka qenë profesor për shumë vite dhe ka lënë gjurmë në diplomimin e shumë gjeneratave të studentëve të psikologjisë.

(Kosova Sot Online )