Katër punëtorë e denoncojnë drejtorin e Shërbimit Gjeologjik për keqpërdorim të detyrës zyrtare

  • A.P /
  • 26 January 2024 - 17:40
Katër punëtorë e denoncojnë drejtorin e Shërbimit Gjeologjik për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prej vitit 2022, Luan Morina është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Gjeologjik që vepron në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Për kaq kohë, puna menaxheriale e tij është përcjellur me pakënaqësi nga zyrtarët e këtij institucioni.

Së fundi, Epir Qeriqi, zyrtar i lartë për Gjeokimi, Naser Bajraktari, zyrtar i lartë për Vendburime Minerale, Shpesa Maliqi, zyrtare për Gjeobatabazën e të dhënave, Arkivit dhe Hartografisë, Berat Sinani, zyrtar i lartë për Sedimentologji dhe Paleontologji, kanë përgatitur një dosje prej 101 faqeve në të cilën shpërfaqin dhe akuzojnë shefin e tyre për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Pos Prokurorisë së Shtetit, dosja ka shkuar edhe në duart e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryeministrit Albin Kurti, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe disa institucioneve të tjera.

Morina nuk është i vetmi në dosje. Aty përfshihet edhe Ismet Shala, drejtor i departamentit të Gjeoinformacionit, njëherësh edhe menaxher i projektit për funksionalizimin e laboratorit të SHGJK-së dhe Flutura Smakiqi, zyrtare për Sinjalizim, e cila thuhet se ka penguar sinjalizimin e dy dokumenteve rreth kontratës LOT I në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Në dokumentin drejtuar Departamentit të Krimeve Ekonomike theksohet se Shërbimi Gjeologjik ka pajisje në vlerë prej rreth 3 milionë eurove, të cilat ende nuk kanë nxjerrë ndonjë rezultat.

Disa prej pajisjeve që u blenë me çmim më të lartë sesa ai i tregut:

Në dokument thuhet se Dozimetri i cili bën matjen e rrezatimit është blerë me një çmim me mbi 40 mijë euro dhe i njëjti nuk është venë në funksion dhe rri i varur.

Një kupshore me havan ka kushtuar 832.5 mijë euro nga vlera reale e çmimit në treg prej 72.71 eurove.

Një parafilm është kontraktuar me çmim 753.5 euro nga vlera reale në treg me rreth 41.47 euro.

Një mbyllës çantash (Onward Humble Bad Heat Sealer 12 inch) është kontraktuar me çmim 767.75 euro nga vlera reale e çmimit në treg prej 33.01 euro.

Pas blerjes së këtyre pajisjeve ka reaguar zyrtar i lartë për Gjeokimi Epir Qeriqi.

Në dokument theksohet se ai është kërcënuar nga Morina se do ta dërgojë në komisionin disiplinor.

“Sapo e ka parë kryesuesi Epir Qeriqi që vlera e dozimetrit ishte një çmim tmerrësisht i lartë, i ka shkuar në zyre Luan Morinës duke e njoftuar se mos ka ndodhur ndonjë gabim sepse pritjet nga komisioni kanë qenë për një dozimetër në vlerë për 100 herë më të ulët në çmim, përgjigja e Luan Morinës ka qenë që kjo nuk është puna e jote dhe nëse e trajton këtë detaje t’i do të përballesh me procedurë disiplinore sepse nuk e kupton sesi realizohet një kontratë, pra një paralajmërim se në zyrën e tij se do të kesh ndëshkime serioze nëse e trajton këtë՞ temë”, thuhet në njërin prej dokumenteve.

Ndër tjera, Luan Morina, akuzohet se ka ndërhyrë edhe në rregulloren e brendshme të SHGJK-së, të cilin e ka punuar Ismet Shala, drejtor i departamentit të Gjeoinformacionit pa prani të komisionit për hartim te rregullores, njëherësh edhe menaxher i projektit për funksionalizimin e laboratorit të SHGJK-së.

Siç përshkruhet në dokument, si rezultat i ndërhyrjes ne rregullore, po ashtu kërcënimit ndaj drejtorit te departamentit te Gjeologjise Alban Çollaku, 14 zyrtarë të këtij institucioni me 15 maj 2023 do të nënshkruajnë një peticion për largimin e Morinës nga pozita e tij.

Peticioni përmbante dy kërkesa dhe ishte drejtuar ministres Artane Rizvanolli dhe zëvendësministrit Getoar Mjeku.

E para: “inicimi i procedurave për përzgjedhjes së Drjetorit Ekzekutiv të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, e cila procedurë do të duhej të rezultonte me zgjedhjen e ndonjë gjeologu me kredibilitet, profesionalizëm dhe i cili plotëson kriteret ligjore”

Kurse e dyta: ”Largimin e menjëhershëm të z.Morina nga kjo pozitë e përkohshme në të cilën është emëruar nga ana juaj në janar të vitit 2022 dhe deri në përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të SHGJK-së, të vendoset si zëvendësues dikush nga stafi i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës i cili ka qasjen e duhur dhe vullnetin e mirë për të ushtruar këtë pozitë të përkohshme dhe stabilizimin e gjendjes momentale, për çka ne si staf ashtu siç edhe e kemi obligim ligjor, premtojmë angazhimin dhe përkushtimin maksimal”.

Megjithatë edhe kjo kërkesë nuk u morë fare parasysh nga ministrja Rizvanolli.

Madje, katër muaj pas këtij peticioni, Morinës i është vazhduar mandati edhe për gjashtë muaj.

Por, këto nuk ishin akuzat e vetme.

Në një dokument tjetër, Luan Morina akuzohet se ka përdorur edhe fjalor seksist ndaj zyrtares për gjeodatabazën e të dhënave dhe një fjalor vulgar me natyrë të ngacmimit seksual ndaj të gjithë zyrtarëve të SHGJK-së, për çka është denoncuar edhe kjo pjesë në këtë adresim 101 faqesh.

Madje, kjo e fundit rastin e kishte adresuar edhe te kryeministri Albin Kurti nga i cili kishte kërkuar që ndaj Morinës të ndërmarrin masa.

Por, edhe pas të gjitha akuzave, Morina vazhdon ende ta mbajë pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit Gjeologjik.

Për gjitha këto, televizioni ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Ekonomisë të cilët kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Jo zyrtarisht, televizioni mëson se Prokuroria e Shtetit kanë nisur hetime për Luan Morina dhe Ismet Shala si dhe për fshehje të fakteve për Agjencinë Kundër Korrupsion, sinjalizueses, Flutra Smakiqi.

Luan Morina, në të kaluarën është akuzuar se në pozitën e zëvendësdrejtorit të Shërbimit Gjeologjik kishte sulmuar fizikisht kolegun e tij, Alban Çollakut, drejtor i Departamentit të Gjeologjisë Regjionale.

Çollaku pati deklaruar se është kërcënuar e sulmuar nga Morina, mirëpo ky i fundit e kishte mohuar.

“Bleu pajisje me çmim 100 herë më të lartë” – katër punëtorë e denoncojnë drejtorin e Shërbimit Gjeologjik

(Kosova Sot Online)