Policët ende pa përgjigje për kërkesat e tyre, Kurti thotë të pyetet MPB’ja

  • S.A /
  • 27 January 2024 - 08:10
Policët ende pa përgjigje për kërkesat e tyre, Kurti thotë të pyetet MPB’ja

Zyrtarë të Policisë së Kosovës dy herë dolën para Qeverisë vitin e kaluar për të theksuar mangësitë dhe kërkesat që ky institucion ka, transmeton "Kosova Sot Online ".

Mirëpo, ata akoma nuk kanë marrë përgjigje konkrete nëse janë pranuar apo refuzuar kërkesat e tyre. Tentimi i fundit për të arritur në një përfundim ishte takimi i datës 20 dhjetor ndërmjet Sindikatës me Drejtorin e Policisë e Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Aty u pati thënë që në janar do të bëhet një zgjidhje, por ndonëse jemi në fund të këtij muaji zgjidhja nuk ka ardhur ende.

Imer Zeqiri, nga Sindikata e Policisë ka thënë se shpreson që javën e ardhshme të realizojnë një takim me Ministrin Xhelal Sveçla. “Në takimin që do ta mbajmë unë shpresoj që pasi që kjo javë kaloj, shpresoj për javën e ardhshme që të realizojmë një takim, ashtu ka qenë e planifikuar me ministrin e MPB-së, ishte edhe vullneti i tij për takim dhe pastaj t’i analizojmë se ne cilat kërkesa po vendosim prioritete” “, ka thënë Zeqiri.

I pari i ekzekutivit, Kryeministri Albin Kurti u pyet në Podujevë pikërisht për këtë çështje dhe përgjegjësinë për përgjigje konkrete ia la Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Për të gjitha këto është mirë të drejtoheni tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, e ne sa i përket pajisjeve dhe kushteve për rrezikshmërinë dhe mbështetjen institucionale financiare bëjmë krejt çfarë mundemi dhe me të mirën për policët tanë për të cilët kemi respektin dhe vlerësimet më të larta”, ka deklaruar Kurti.

Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur për hapat që po planifikon t’i marrë pas kërkesave të efektivëve të Policisë së Kosovës. Kërkesat kryesore të zyrtarëve ishin përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, shtesat për rrezikshmërinë për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe miratimi i ligjit për pensionim në moshën 55-vjeçare.

(Kosova Sot Online )