Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi: E patëm lënë që më 15 shkurt të takoheshim

  • S.A /
  • 27 January 2024 - 12:16
Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi: E patëm lënë që më 15 shkurt të takoheshim

Kryeministri Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve e miqve të Akademikut Feriz Krasniqi, i cili vdiq dje në moshën 93-vjeçare, transmeton "Kosova sot Online ".

Kurti ka treguar se takimin e fundit me të e kishte pasur më 17 dhjetor të vitit që shkoi, derisa tha se e kishin lënë që më 15 shkurt të takoheshin për ta shënuar 54 vjetorin e e Universitetit të Prishtinës.

Kurti ka thënë se Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë

“Gjashtë javë më parë, më 17 dhjetor, kur bashkë me Profesor Ferizin i shkuam në vizitë mikut të tij Profesor Minir Dushit, ai mbështetej në bastunin e tij për të ecur dhe mbështetej në kujtesën e kthjellët dhe përvojën e gjatë prej 93 vjeçari për të biseduar. Shumë i këndshëm në bisedë dhe fort dashamirës mes miqsh, Profesor Feriz Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Krasniqi ka qenë fillimisht Prorektor i Universitetit të Prishtinës mes viteve 1973 – 1975, para se ta merrte drejtimin e tij nga detyra e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në dy mandate, gjatë periudhës 1975 – 1979. Ai e udhëhoqi Universitetin e Prishtinës në një dekadë kyçe, kur u themeluan dhe u ngritën shumë fakultete dhe degë të tij. Si rektor i UP-së, Feriz Krasniqi e ka bartur procesin e arritjeve dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, në një kohë kur pedagogët nga Tirana dhanë shumë kontribut për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

(Kosova Sot Online )