Zyrtarisht Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Kryeministër i Maqedonisë së Veriut është zgjedhur politikani shqiptar, Talat Xhaferi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Xhaferi ka marrë gjithësej 65 vota për dhe 3 kundër nga 120 deputetë të Kuvendit.
Talat Xhaferi bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
Ai do ta drejtojë qeverinë teknike për 100 ditë, duke u bëri shqiptari i parë që merr këtë pozitë.
Xhaferi tha në Kuvendin maqedonas se “nuk do të lejoj të devijojmë”, nga rruga dhe nga prioritetet e dakorduara me partnerët e koalicionit, ndërsa përmendi rrugën për integrimin në Bashkimin Europian.
Ai përmendi se prioriteti kryesor do të jetë “përgatitja e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.
Xhaferi tha se do të vazhdojnë “zbatimin e parimeve të marrëveshjeve për marrëdhëniet ndëretnike”, ndërsa foli më tej për prioritetet strategjike shtetërore.
“Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbeten politika qendrore dhe strategjike të qeverisë”, tha ai.
“Do të zbatojmë proceset e nisura për rrumbullakësimin e legjislacionit vendor në lidhje me proceset institucionale të partnerit tonë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përcaktimin dhe sanksionimin e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin”, tha Xhaferi.
Xhaferi në fund e falënderoi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, presidentin maqeonas, Stevo Pendarovski dhe deputetët.
(Kosova Sot Online)