Murati: Ja pse nuk i takon Ministrisë që të përfshihet në një diskutim ku ka edhe pretendime të pasakta

  • A.P /
  • 31 January 2024 - 17:40
Murati: Ja pse nuk i takon Ministrisë që të përfshihet në një diskutim ku ka edhe pretendime të pasakta

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media sot është pyetur për çështjen e këmbimi të pronës komunale në zonën Prishtina e Re me pronat e dy biznesmenëve në Badoc, ku nuk lejohen ndërtimet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Murati ka thënë se përgjigjet duhet të kërkohen nga komuna e Prishtinës.

Ai ka thënë se nuk i takon Ministrisë së Financave që të përfshihet në një diskutim “ku ka edhe pretendime të pasakta”.

“Jam në dijeni që ka një çështje të ngritur sa i përket çështjes së këmbimit të pronave nga komuna e Prishtinës. Thënë të drejtën, e kam konsideruar të padenjë të merrem me çështjen sepse s’ka të bëjë me ministrin e Financave, përkundër që në disa raste po tentohet t’i jepet konotacion i tillë. Këmbimi i pronave, vendimet, të gjitha këto merren nga komuna e Prishtinës, prandaj çfarëdo përgjigje që kërkohet në këtë aspekt duhet ta kërkoni te komuna e Prishtinës, më saktësisht te udhëheqësia e komunës, nëse keni pretendime që ka pasur shkelje apo keqpërdorime të tilla. Prandaj nuk i takon Ministrisë së Financave që të mbajë qëndrim ose të përfshihet në një diskutim, i cili ka edhe pretendime të pasakta. Duhet të siguroheni që të gjitha informatat që prezantohen janë të sakta. Sa i përket çështjes së ndalimit të keqpërdorimeve nuk besoj që ka dikush që më tepër se unë ka bë për të ndaluar, sidomos te keqpërdorimet tek shpronësimet apo manipulimet e ngjashme.”

Ai tha se është grupi i asamblistëve të VV’së ata që e kanë ekspozuar dhe që kanë deklaruar se kjo është shkelje.

“Me sa pashë sot ishte që është rikthy në rivendosje të komunës së Prishtinës. Është pikërisht grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që e ka ekspozu dhe që ka deklaru se kjo është shkelje cfarë po bëhet, sepse një këmbim i tillë nuk do të paraqiste interes publik dhe që ka propozu të ketë anulim të atij vendimi.  Sot ka qenë seanca, nuk e di nëse ka ndodh diçka apo nëse është marrë ndonjë vendim i tillë, mirëpo është propozim i grupit të asamblistëve të VV’së. Andaj, çfarëdo kërkese apo sqarim për këtë çështje, duhet ta kërkoni te komuna e Prishtinës, sepse është komuna që e ka marrë vendimin e tillë, që ka marrë çfarëdo vlerësimi në të kaluarën dhe në të tashmen ka qenë MF, e cila me tu njoftuar që ka pasur parregullësi gjatë procesit dhe me njoftimin e MAPL’së që do të shqyrtohet ligjshmëria e vendimit, e ka pezulluar edhe vlerësimin aktual”, tha  Murati para gazetarëve.

(Kosova Sot Online)