Murati dhe Rashiq: Qeveria ka vendosur t’i mbështesë me dy mijë vende pune komunat veriore

  • A.P /
  • 12 February 2024 - 18:22
Murati dhe Rashiq: Qeveria ka vendosur t’i mbështesë me dy mijë vende pune komunat veriore

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq iu drejtuan qytetarëve serbë përmes një videoje nga Leposaviqi për t’i njoftuar se Qeveria ka vendosur t’i mbështesë dy mijë vende pune në katër komunat veriore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pas vizitës në Leposaviq te kryetari i kësaj komune, Lulzim Hetemi, Murati i ftoi bizneset serbe që të regjistrohen në zyrën e punësimit për të përfituar dhe qyetetarët për t’u regjistruar si punëkërkues.

Rashiq tha se kjo masë do të ketë ndikim të mirë në atë pjesë të vendit, ku tha se qytetarët po përballen me “situatë të vështirë”.

“Qeveria do të mbështesë dy mijë vende pune në katër komunat veriore. Sot bashkë me kolegun tim, Ministrin Nenad Rasic, ishim për vizitë në Leposaviq dhe takuam Kryetarin e Komunës Lulzim Hetemi, për të parë nga afër mbarëvajtjen e punëve. Arsye për vizitën ishte lansimi i masës për mbështetjen e punësimit të 2,000 punëkërkuesve që jetojnë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e Veriut. Të gjitha bizneset ekzistuese, por edhe ato të reja që nisin aktivitetin e tyre në njërën nga katër komunat në veri të vendit, do të mund të përfitojnë nga masa e subvencionimit deri në 70% të pagës bruto për 6 muaj, për secilin punëtor të ri që e punësojnë sipas kritereve të përcaktuara me vendim”, ka shkruar Murati në Facebook, ku ka publikuar edhe videon.

“Në anën tjetër, të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna e që janë të papunë, mund të shkojnë të regjistrohen në Zyren e Punësimit si punëkerkues dhe në rastin e parë të krijuar, do t’u ofrohet një ofertë pune në njërin nga bzineset e interesuara”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)