Në rrezik ndihma e propozuar nga Senati për Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin

  • A.P /
  • 14 February 2024 - 16:07
Në rrezik ndihma e propozuar nga Senati për Ukrainën, Izraelin dhe Indo-Paqësorin

Senati amerikan miratoi të martën një paketë ndihmash prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Por siç njofton korrespondentja e voa, Katherine Gypson, projektligji përballet me një proces të vështirë miratimi në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndërsa Senati miratonte projektligjin e rëndësishëm të martën, ky ishte një moment jetik për 60 miliardë dollarë ndihmat për Ukrainën, 14 miliardë dollarë për Izraelin dhe miliarda të tjera për vendet e rajonit Indo-Paqësor që përballen me rrezikun e Kinës.

Presidenti Joe Biden i bëri thirrje shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve që ta marrin projektligjin në shqyrtim.

“I bëj thirrje kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve që ta lejojë dhomën të japë mendimin e saj dhe të mos i lejojë zërat më ekstremë që ta bllokojnë këtë projektligj duke mos e futur në votim”, tha presidenti Biden.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson tha të hënën se Dhoma e Përfaqësuesve nuk do ta votojë projektligjin nëse nuk bëhen ndryshime në sistemin amerikan të emigracionit. Një marrëveshje për një projektbuxhet prej 118 miliardë dollarësh që përfshinte edhe disa masa për kufirin dështoi javën e kaluar kur ish presidenti Donald Trump inkurajoi republikanët të votonin kundër dërgimit të ndihmave për Ukrainën.

“Nëse i jepnim gjithë këto para, do t’i kishim dërguar Ukrainës mbi 200 miliardë dollarë. Dhe ata mund të arrinin një marrëveshje me Rusinë në tre javët në vazhdim dhe krejt papritur të mos donin më një marrëveshje me ne”, tha ish presidenti Trump.

Demokratët e përshëndetën kalimin e projektligjit për ndihmat si një moment kyç për rolin udhëheqës amerikan mes krizave globale.

“Një ndër projektligjet më historike dhe më të rëndësishme të miratuara në Senat. Një projektligj që ndikon jo vetëm tek siguria jonë kombëtare, jo vetëm tek siguria e aleatëve tanë, por edhe tek siguria e demokracisë siç e njohim sot”, tha Senatori demokrat Chuck Schumer, drejtues i shumicës në Senat.

Republikanët janë të ndarë për sa i përket dërgimit të ndihmave të mëtejshme për Ukrainën, duke thënë se fondet janë më të nevojshme për sigurinë në Amerikë.

“Ajo që kërkuam është që duke qenë se administrata ka përparësi dhënien e mbi 60 miliardë dollarëve të tjerë për ta ndihmuar Ukrainën të sigurojë kufirin e saj, menduam se ndoshta mund ta përdornim këtë për ta detyruar këtë administratë që të sigurojë kufirin tonë”, tha Senatori republikan Ron Johnson.

Por, 22 senatorë republikanë, të udhëhequr nga drejtuesi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, bashkuan votat me demokratët, duke thënë se nuk mund të injoronin pasojat e mëdha për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Aleatët dhe partnerët tanë shpresojnë se vendi i pazëvendësueshëm, udhëheqësi i botës së lirë, ka vendosmërinë për të vazhduar, ndërsa kundërshtarët tanë po shpresojnë diçka krejt të ndryshme”, tha Senatori republikan Mitch McConnell, drejtues i pakicës në Senat.

Shtetet e Bashkuara dërguan raundin e fundit të ndihmave në Ukrainë më 27 dhjetor. Analistët thonë se vonesat inkurajojnë Rusinë.

“Për Putinin, ky është një lloj triumfi. E bën Rusinë të duket sikur është në rrugën e fitores. Dhe e bën Ukrainën të duket sikur është e ngelur në vend, apo në një lloj ngërçi në këtë luftë”, thotë Michael Kimmage, nga Universiteti Katolik i Amerikës.

Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve do të jenë në sesion pune edhe për tre ditë të tjera dhe në vazhdim do të pushojnë deri në fillim të muajit mars.

(Kosova Sot Online)