Lajm i keq po vjen për Kosovën, 28% e qytetarëve duan të largohen në pjesën e parë të vitit

  • S.A /
  • 22 February 2024 - 12:19
Lajm i keq po vjen për Kosovën, 28% e qytetarëve duan të largohen në pjesën e parë të vitit

Instituti GAP ka publikuar një infografikë, përmes së cilës tregohet se cilët sektorë do të ndikohen më shumë nga emigrimi. Një anketë e realizuar nga ky Institut, tregon se rreth 28% e qytetarëve planifikojnë të emigrojnë drejt shteteve të zonës Schengen, në pjesën e parë të këtij viti, transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas kësaj infografike, prirje për emigrim ka më shumë nga sektori i ndërtimtarisë dhe ai i hotelerisë dhe gastronimisë.

Pas tyre renditet sektori i tregtisë dhe ai i prodhimit.

“Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%). Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviteti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta”, thuhet në raportin e GAP. 

Tutje, në raport thuhet se në këta sektorë mund të ketë rritje të pagave

“Nga shqyrtimi i literaturës për përvojat e vendeve tjera dhe shkallës së zëvendësimit të punonjësve nga sektorë të caktuar që kanë emigruar me punonjës nga shtete tjera, në rast se nuk aktivizohet një pjesë e theksuar e popullsisë në moshë pune të cilët për momentin nuk janë duke kërkuar punë, në këta sektorë pritet rritje më e theksuar e pagave krahasuar me sektorët tjerë. Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”, theksohet në raport.

Nërkohë, më së paku prirje për emigrim ka nga sektori i bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit, si dhe transporti dhe depozitimi.

Për qytetarët të cilët kanë deklaruar se do të emigrojnë në tremujorin e parë të vitit 2024, destinacionet kryesore janë Gjermania me 71.4%; ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%.

Shumica e qytetarëve të cilët deklaruan se planifikojnë të emigrojnë janë të rinjë. Nga ata të cilët kanë planifikuar të emigrojnë në tremujorin e parë të 2024, 33.4% i takojnë grup-moshës nën 24 vjeç, ndjekur nga rreth 31.4% që i takojnë grup-moshës 25-34 vjeç.

(Kosova Sot Online )