Fillon dëshminë dëmitari i 47 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pretendohet se është rrëmbyer nga UÇK-ja

  • S.A /
  • 26 February 2024 - 12:25
Fillon dëshminë dëmitari i 47 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pretendohet se është rrëmbyer nga UÇK-ja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 47 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W02749 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe në përmbledhjen e lexuar nga përfaqësuesit e ZPS-së, pretendohet se në qershor të 1999 ai është rrëmbyer dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së.

“W02749 ka qenë banorë i Prizrenit. Në qershor të 1999 është rrëmbyer dhe rrahur nga anëtarët e UÇK-së. Është dërguar në një ndërtesë e cila është përdorur nga UÇK-ja ku është marrë në pyetje dhe është rrahur me teje. Gjatë ndalimit ai ka vërejtur edhe persona të tjerë të ndaluar dhe është liruar nga një ushtar i UÇK-së”.

Pyetjet për këtë dëshmitar është duke i parashtruar përfaqësuesit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në sesion privat për publikun.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë një ditë. Ai tha se ZPS-ja ka paraparë rreth një orë e gjysmë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar, mbrojtja e viktimave nuk ka pyetje kurse mbrojtja e të akuzuarve kanë parashtruar se iu duhen rreth katër orë.

Vlen të theksohet se deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për ZPS-në u pranuan si prova materiale së bashku me materialit përcjellëse.

Të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit përveç Jakup Krasniqit i cili është i kyçur përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi.

(Kosova Sot Online )