Zbulohet skema si shtatë kosovarë e dëmtuan gati 2 milionë euro çiftin e moshuar nga Zvicra

  • A.P /
  • 29 February 2024 - 13:54
Zbulohet skema si shtatë kosovarë e dëmtuan gati 2 milionë euro çiftin e moshuar nga Zvicra

Raportohet se në javën e shkuar u arrestuan 7 persona për mashtrim e shpëlarje parash, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i mashtrimit, duke dëmtuar për 2 milionë euro një çift të moshuar zviceran.

Thuhet se të rinjtë vepronin në një fshat të Shtimes dhe, në këmbim të parave, i premtonin çiftit t’ia kthenin investimet në kriptovaluta.

Dy pensionistë zviceranë kanë rënë në kurthin e disa kosovarëve, tashmë të dyshuar për mashtrim, nga të cilët janë dëmtuar gati 2 milionë euro.

Tutje thuhet se një kosovar rreth të 30-ve, nga një fshat i Shtimes, në vitin 2021 ka krijuar një kompani fiktive në Cyrih të Zvicrës dhe, përmes saj u premtonte t’ua kthente paratë e investuara në kriptovaluta.

Vlen të theksohet se kompania quhej “Finanbrocker.de”, dhe pronar figuronte Ueli Schmidt.

Arkitekti zviceran, 79-vjeçari Hans Peter Sommer, ishte kontaktuar fillimisht përmes telefonit nga Schmidt, që me vonë ka rezultuar se ishte kosovar. Ky person asokohe ishte rreth 30-vjeçar, shkruan koha.

Bazuar në kallëzimin penal, kosovari i kishte thënë të moshuarit zviceran se 700 mijë eurot e investuara në kriptovaluta do të mund të tërhiqeshin, por vetëm pasi t’i dërgonte një pjesë të parave që nevojiteshin për të zhbllokuar transferin.

“Të dëmtuarit të parë i ofrojnë mundësi për kthimin e investimit të bërë në vlerën rreth 700.000 (shtatëqind mijë) euro në platformën “opsion888” dhe në Trans Gain Capital dhe se kinse këto para janë investuar kryesisht në kriptovaluta në Binance dhe se kompania e të pandehurit të parë ka ekip dhe ai mund ta kthejë mbrapsht të tërë investimin e bërë nga i dëmtuari i parë”, thuhet në kallëzimin penal.

Shmidi, që më vonë doli se ishte një i ri me inicialet N.S. nga Shtimja, së bashku me bashkëshorten e katër persona të tjerë që janë miq e familjarë të tij, dyshohet se e mashtruan edhe bashkëshorten e viktimës së parë.

Nga viti 2021 e deri në janar të 2023-tës, ata e kanë bindur çiftin e moshuar që t’u dërgojë rreth një milion euro në llogaritë bankare.

“Të pandehurit e kanë bindur të dëmtuarin e parë dhe të dytë që në periudhën kohore, që nga viti 2021 deri në janar 2023 t’i dërgojnë mjete financiare në llogaritë bankare te të pandehurve në shumën prej 940,730 (nëntëqind e katërdhjetëmijë e shtatëqind e tridhjetë ) eurosh dhe në këtë mënyrë i dëmtuari i parë dhe i dytë janë dëmtuar në vlerë prej 940,730 (nëntëqind e katërdhjetëmijë e shtatëqind e tridhjetë ) eurove sa u përket parave të dërguara te të pandehurit”, thuhet në dokument.

Sipas kallëzimit penal, të moshuarit zviceranë e kanë kuptuar vetëm në fillim të vitit 2023 që ishin mashtruar. Para kësaj ishin kërcënuar nga kosovarët.

“I pandehuri i parë ka pasur kërkesa të vazhdueshme për dërgimin e mjeteve dhe së fundi ka pasur kërkesë për dërgimin e 18,000.00 (tetëmbëdhjetë mijë) eurove në llogarinë e tij bankare. Në bazë të komunikimit të bërë nga i pandehuri i parë dhe e pandehura e dytë me të dëmtuarin e parë, përmes numrit të telefonit +38348306700 në Whatsapp dhe Telegram, i pandehuri i parë i jep ultimatum të dëmtuarit të parë që shumën e lartcekur t’ia kryejë deri më datë 31.1.2023, në të kundërtën të dëmtuarit nuk do t’i transferohet asnjë mjet. Gjithashtu e pandehura e dytë, përmes komunikimeve përmes Whatsapp i drejtohet të dëmtuarit të parë përmes sms duke i thënë që, kinse e njëjta nuk mund të transferojë asnjë mjet, nëse i dëmtuari i parë paraprakisht nuk i bënë transferin z. Schimdt (të pandehurit të parë) kinse për pagesën e honorarit të tij për punën e kryer”, theksohet në kallëzimin penal.

Në komunikime ka marrë pjesë edhe një person me emrin Donika Dërguti e që me vonë ka rezultuar se bëhej fjalë për identitet fiktiv, që e ka përdorur i pandehuri i parë.

Bazuar në kallëzim penal, sa me shumë që çifti i moshuar zviceran dërgonte para, mashtruesit u thoshin atyre se u ishte rritur vlera e mjeteve e paralelisht kërkonin para të tjera shtesë.

“Në këtë komunikim, z. Schmidt (i pandehuri i parë) vazhdon ta vërë në lajthitje të dëmtuarin e parë, duke ia konfirmuar se kinse ai i ka në llogarinë e tij 2.7 milionë euro dhe kinse po ai person ka kryer punë të jashtëzakonshme që kjo pasuri e tij të rritet. Në bazë të komunikimeve në Whatsapp dhe Telegram, i pandehuri i parë dhe e pandehura e dytë kanë përdorur numrat e telefonave +38348306700 dhe +38349402996. Përmes këtyre komunikimeve është më se i qartë fakti që i pandehuri i parë është paraqitur si Z. Schmidt, kurse me numrin tjetër +38349402996 është paraqitur si Donika Dërguti”, thuhet në kallëzimin penal.

Kosovari kryesor që dyshohet për mashtrim, ndërkohë ka hapur biznese të gastronomisë në Ferizaj e nga politikanët është prezantuar si afarist i suksesshëm.

Bazuar në kallëzimin penal, kosovarët dyshohet se kanë falsifikuar dokumente në emër të një banke kosovare, me të cilat çiftit i thuhej se paratë ishin të sigurta.

Prokuroria Speciale ka arrestuar javën e kaluar të dyshuarit. Por ka dhënë fare pak detaje për rastin.

Qytetarëve nga Shtimja u janë sekuestruar disa vetura, armë, municion, mjete të konsiderueshme materiale, si dhe prova të tjera, të cilat dyshohen se janë përdorur gjatë mashtrimit të çiftit të moshuar zviceran. 

(Kosova Sot Online)