Ja pse Moska ‘e paralajmëron’ Uashingtonin
Ministria e Jashtme e Rusisë e ka thirrur të enjten në bisedë ambasadoren amerikane në Moskë, Lynne Tracy, përmes së cilës e paralajmëroi Uashingtonin “të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme” të Rusisë, në prag të zgjedhjeve presidenciale të cila pritet t’ia dhurojnë pa ndonjë telash edhe një mandat tjetër presidentit Vladimir Putin. transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Putin nuk përballet me asnjë kundërshtar në zgjedhjet e 15-17 marsit.
Ministria ruse e njoftoi Tracyn se tri organizata joqeveritare amerikane (OJQ) – Këshilla Amerikane për Edukim Ndërkombëtar, Perspektivat Kulturore dhe Instituti i Edukimit Ndërkombëtar – janë shpallë “organizata të padëshirueshme”.
Ajo i ka kërkuar Ambasadës amerikane në Moskë ta “ndërpresë çdo bashkëpunim” me to.
Ministria i akuzoi këto OJQ se udhëheqin “programe dhe projekte antiruse, që kanë për qëllim të rekrutojnë ‘agjentë me ndikim’ nën maskën e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore”.
Sipas saj, çfarëdo bashkëpunimi i mëtejmë me Ambasadën “do të cilësohet shkelje e ligjit rus”.
Zyrtarët rusë shpesh i përçmojnë OJQ-të dhe grupet e shoqërive civile të mbështetura nga Perëndimi, duke i akuzuar se përpiqen ta mashtrojnë popullin rus, në përpjekje për të nxitur pakënaqësi dhe për t’i shtyrë përpara interesat e politikës së jashtme të vendeve të tyre përkatëse.
Qeveritë perëndimore i hedhin poshtë këto pretendime.
Këto tri OJQ thonë se ato bëjnë veprimtare për t’i forcuar lidhjet ndërkombëtare përmes shkëmbimeve akademike, profesionale dhe kulturore, dhe se mijëra studentë i kanë përdorur programet e tyre për ta zgjedhuar arsimimin e tyre.
Ligji “organizata të padëshirueshme” – i miratuar më 2015 – ishte projektligj i mbështetur nga Kremlini kundër OJQ-ve që pranojnë të holla nga vendet e huaja.
Radio Evropa e Lirë u shpallë “organizatë e padëshirueshme” në Rusi muajin e kaluar.
Ky vendim i Ministrisë vjen vetëm një javë para se rusët të votojnë në zgjedhjet presidenciale, të cilat Kremlini shpreson t’i përdorë si shfaqje të unitetit kombëtar në mbështetje të Putinit dhe pushtimit të Ukrainës nga ai, të cilit Rusia i referohet si “operacion special ushtarak”.
Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.
(Kosova Sot Online)