Aksidenti fatal në hyrje të Vushtrrisë ku u përfshinë tri vetura, ky është aktivisti nga Vushtrria që vdiq

  • S.A /
  • 12 March 2024 - 10:43
Aksidenti fatal në hyrje të Vushtrrisë ku u përfshinë tri vetura, ky është aktivisti nga Vushtrria që vdiq

Një aksident trafiku ka ndodhur dje pasdite në Vushtrri në mes tri veturave ku nga plagët e marra një person ka vdekur më pas gjatë trajtimit në QKUK. Siç raportojnë mediat lokale të kësaj komune viktima është aktivisti Mentor Merovci, transmeton "Kosova Sot Online ".

Për vdekjen e tij ka shkruar edhe kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

“Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Merovci, pas ndarjes nga jeta të familjarit të tyre, humanistit dhe aktivistit Mentor Merovci. Në telegramin e ngushëllimit, kryetari Idrizi thekson se bashkëndien dhimbjen me familjen Merovci për humbjen e familjarit të tyre, derisa tha se Vushtrria humbi një humanist dhe një aktivist të palodhur në shërbim të qytetit të Vushtrrisë”, thuhet në faqen e komunës së Vushtrrisë. Po ashtu, për vdekjen e Merovcit ka ngushëlluar edhe organizata joqeveritare “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”.

“Me pikëllim të thellë, njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Mentor Merovcit, mik dhe aktivist i palodhur në “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”. Mentori ishte një aktivist i jashtëzakonshëm, duke na frymëzuar të gjithëve me pasionin dhe përkushtimin e tij për një Kosovë më të pastër dhe më të gjelbër. Ne i dërgojmë ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe miqve të tij. Humbja e Mentorit është një goditje e rëndë për komunitetin tonë, por fryma dhe ëndrrat e tij do të vazhdojnë të na udhëheqin. Do ta kujtojmë Mentorin si një hero të vërtetë të mjedisit në Kosovë dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që ai çeli përpara nesh. Pusho në paqe, mik i dashur!”.

Për aksidentin dje ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Vushtrri, 11.03.2024, 18:00. Është raportuar se ka ndodhur aksident trafiku në mes tri veturave ku përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar katër persona, tre meshkuj dhe një femër kosovare dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ku dyshohet se nga plagët e marra ka ndërruar  jetë njëri nga ta, i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

(Kosova Sot Online )