Abdixhiku: Plot 781 tenderë në vlerë prej 209 milion eurove janë dhënë nga pushteti pa procedura

  • A.P /
  • 15 March 2024 - 16:16
Abdixhiku: Plot 781 tenderë në vlerë prej 209 milion eurove janë dhënë nga pushteti pa procedura

Për tenderët njëburimorë që janë dhënë gjatë Qeverisë Kurti për të cilët u diskutua dje në Kuvend, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dalë me një deklaratë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

AI ka thënë se 781 tenderë në vlerë prej 209 milionë euro janë dhënë “Pushteti i Shpresës” me negocim të drejtpërdrejtë, pa procedura, pa konkurrencë.

Postimi i plotë:

Mendojeni për pak,

– Plot 781 tenderë, në vlerë prej 209 milion eurove, janë dhënë nga “Pushteti i Shpresës” me negocim të drejtpërdrejtë! Pa procedura, pa konkurrencë, me muhabet të drejtpërdrejtë! Pra, e thërrasin një biznes që e zgjedhin vet, dhe i japin tender! Kaq thjeshtë! Nuk ka garë, nuk ka çmim të lirë, ka marrëveshje një me një!

– Kështu janë ndarë plot 209 milion euro; 781 herë! 30 milion vitin e parë; 70 milion në të dytin, 109 në të tretin. Sa më gjatë në pushtet, aq më i mësuar zanati!

– Në KEK, 13 tenderë me negocim të drejtpërdrejtë, i janë dhënë një biznesi të njëjtë. 13 herë, pa procedurë, pa konkurrencë, me zgjedhje të drejtpërdrejtë 6 milion euro biznesit të njëjtë. Jo një herë, jo dy herë, jo tre herë por plot 13 herë!

– Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shërbime të IT-së, 15 milion euro me negocim, pa procedurë e pa konkurrencë, i janë dhënë një biznesi me një tender. Plot 15 milion euro me muhabet të drejtpërdrejtë; në një fushë me dhjetra biznese me shërbim të njëjtë!

Debatit në Kuvend i ikën; lëshuan sallë, por të vërtesës nuk kanë nga t’i ikin! Këto, dhe kontratat tjera njëburimore, do t’i trajtojmë ditët në vijim. Në Kuvend dhe jashtë tij; le të kuptojmë se si prapa perdes së popullizmit dhe arrogancës së të paprekurit fshihet një tenderomani selektive dhe sistematike si asnjëherë më parë!


(Kosova Sot Online)