Murati flet me deputetin britanik për mundësitë e investimeve në Kosovë

  • A.P /
  • 15 March 2024 - 16:50
Murati flet me deputetin britanik për mundësitë e investimeve në Kosovë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, priti në takim Martin Vickers, deputet në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe i Dërguar i Veçantë për Tregtinë në Ballkanin Perëndimor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë takimit, ministri Murati njoftoi Vickers-in për mundësitë e të investuarit në Kosovë duke vënë theks tek prioritetet aktuale të Qeverisë siç janë: investimet në sektorin e energjisë, infrastrukturës dhe sigurisë.

Ndër të tjera, ministri Murati përmendi edhe potencialin për investime në fushën e prodhimit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, si katalizator për rritjen e bashkëpunimit tregtar midis dy vendeve.

“Nga ana e tij, deputeti Vickers përmendi disa nga prioritetet e qeverisë britanike dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në sektorët e energjisë, mjedisit, si dhe ndarjen e njohurive nga organizimi i Lojërave Olimpike, tash që Kosova është përzgjedhur si vend nikoqir për Lojërat Mesdhetare 2030”, thuhet në njoftimin e MF-së.

(Kosova Sot Online)