Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për shantazh, i kërkoi personit 20 mijë euro për të mos ia publikuar bisedat

  • S.A /
  • 19 March 2024 - 12:16
Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për shantazh, i kërkoi personit 20 mijë euro  për të mos ia publikuar bisedat

Për shkak se nuk ishte i pranishëm askush nga Prokuroria për ta përfaqësuar aktakuzën, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë në rastin ku A.R., ngarkohet për shantazh ndaj të dëmtuarit R.A, transmeton "Kosova Sot Online ".

Gjykatësja e rastit Blerta Kelmendi tha se nuk ka fletëkthesë të kthyer nga Prokuroria, çka rezulton se nuk dihet nëse a kanë pranuar ftesën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë, gjithashtu mungoi edhe i dëmtuari R.A., i cili përmes një parashtrese të dërguar më 18 mars 2024, kishte thënë se në seancën e sotme nuk mund të marrë pjesë për shkaqe shëndetësore.

Përmes asaj parashtrese, i dëmtuari kishte kërkuar që seanca të mbyllet për publikun dhe mediat për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe ngarkesës psikologjike të tij dhe familjes së tij.

Gjyqtarja Kelmendi lidhur me këtë rrethanë tha se njëherë nuk do të vendosë, andaj në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyrë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 19 janar 2024, A.R, po akuzohet se me dashje ka kanosur të dëmtuarin R.A., se do të zbulojë diçka në lidhje me të që do të dëmtonte nderin dhe autoritetin e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri A.R., në vazhdimësi kishte kanosur të dëmtuarin R.A., se do të publikonte rrethana nga jeta personale, nga bisedat e tyre të shkëmbyera përmes rrjeteve sociale, pasi thuhet se të njëjtit kishin raporte shoqërore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri në vazhdimësi i kishte bërë presion të dëmtuarit, duke i kërkuar të holla dhe atë në shumën 20 mijë euro ose në të kundërtën do t’i publikojë bisedat lidhur me raportin e tyre, që do të dëmtonin nderin dhe autoritetin e tij, duke e detyruar të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Me këtë rast, i pandehuri A.R., po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shantazhi”, nga neni 329, par.1 të Kodit Penal.

 (Kosova Sot Online )