Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për mashtrim rreth shitblerjes së një parcele

  • S.A /
  • 30 March 2024 - 08:06
Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për mashtrim rreth shitblerjes së një parcele

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së premtes, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku Rizman Sheqiri po akuzohet se ka vënë në lajthitje të dëmtuarin Shemsedin Bilibani, duke i shkaktuar dëm mbi 90 mijë euro, ashtu që e ka nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e shitur ¼ e pronës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Sipas të akuzuarit, i dëmtuari kishte dy konto, njërën të Serbisë dhe tjetrën të Kosovës, e që do i shkaktonte probleme, andaj pagesën e kishin bërë tek noteri.

Mbrojtësi kryesor i të dëmtuarit Bilibani, avokati Fazli Brahaj, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, kërkoi nga gjykata që i akuzuarin Sheqiri ta dënojë sipas ligjit, dhe për më tepër ai tha se fjalën përfundimtare do e dorëzojë me shkrim.

I njëjti propozoi për prova plotësuese; përgjigjja në padi e nënshkruar nga i akuzuari Sheqiri, certifikatat e pronësisë të datës 27.05.2020 , si dhe kopjen e planit të datës 09.01.2013

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Sheqiri, avokati Kadri Musaj, kundërshtoi provat plotësuese të propozuar nga avokati Brahaj, duke thënë se nuk ka ndonjë provë të re.

Ai i kërkoi nga gjykata që ta hedhë poshtë aktakuzën si e pa bazuar dhe ta marrë një vendim lirues për të mbrojturin e tij.

Megjithatë, propozimin i avokatit Brahaj për provat plotësuese u aprovua gjykatësja Donika Shala-Abdyli.

Kurse, prokurori Esat Rama, tha se mbetet pranë aktakuzës, duke shtuar se për më gjerësisht fjalën përfundimtare do e dorëzojë me shkrim. I njëjti po ashtu tha se pranon propozimin e avokatit Brahaj, për prova plotësuese.

Ndërkaq, avokati ndihmës i të dëmtuarit Bilibani, Nazmi Mustafi, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, tha se i akuzuari Sheqiri të mbrojturin e tij e kishte vënë në lajthim, duke shtuar se kontrata e shit-blerjes së paluajtshmërisë është hartuar dhe legalizuar në mënyrë të manipuluar. Ai ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari në këtë rast të dënohet sipas ligjit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 gusht 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rizman Sheqiri akuzohet se më 20 shtator 2013, me qëllim të përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Shemsedin Bilibani, ashtu që e ka nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së tij duke e shitur pronën e tij me çmim mbi 90 mijë euro dhe pas kësaj shitje edhe e ka nxitur të kryejë veprimin tjetër në dëm të pasurisë së tij, duke nënshkruar kontratën e përpiluar te noteri më 24 shtator 2013 për shitblerjen e paluajtshmërisë ngastrës përkatëse kadastrale në vlerën e cekur më lartë.

(Kosova Sot Online )