KOSTT: Kemi bërë një improvizim të përkohshëm që stabilizon furnizimin me energji

  • A.P /
  • 04 April 2024 - 20:39
KOSTT: Kemi bërë një improvizim të përkohshëm që stabilizon furnizimin me energji

Është rikthyer sonte furnizimi me energji elektrike në Nënstacionin Prishtina 3. Për stabilizimin e situatës KOSTT ka bërë një improvizim të përkohshëm që ka mundësuar energjizimin e nënstacionit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Pas një pune intenzive të të gjitha ekipeve të KOSTT, në ora 19:03 është kthyer në operim transformatori TR2 në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 3 dhe është stabilizuar furnizmi me energji elektrike për qytetarët e afektuar”, thuhet në njoftim.

Ky problem sipas KOSTT ka ndodhur për shkak të një avarie të madhe me datë 03.04.2024.

Për stabilizimin e situatës janë angazhuar mbi 50 punonjës.

“Pas rikthimit të furnizimit, KOSTT do të punoj ngushtë me të gjitha institucionet relevante dhe akterët e nevojshëm për të vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe për të identifikuar shkaqet që kanë shkaktuar avarinë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)