Presidenti serb Vuçiqi e ka humbur kontrollin nga paniku për rezolutën e Srebrenicës: Dihet se si do të votohet

  • S.A /
  • 23 May 2024 - 12:22
Presidenti serb Vuçiqi  e ka humbur kontrollin nga  paniku për rezolutën e Srebrenicës: Dihet se si do të votohet

Me Rezolutë kërkohet shpallja e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Planifikohet që të enjten pasdite në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë një rezolutë të propozuar që bën thirrje për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, transmeton "Kosova Sot Online ".

Serbia e kundërshton fuqishëm këtë dhe nisi një ofensivë të madhe diplomatike kundër rezolutës.

Pritet që rreth dhjetë vende votojnë kundër rezolutës, ndërsa disa dhjetëra anëtarë të OKB-së do të abstenojnë nga votimi për shkak të ofensivës propagandistike serbe, veçanërisht në mesin e vendeve të painkuadruara, sipas burimeve diplomatike, raporton agjencia sllovene e lajmeve STA.

Propozimi për një rezolutë për një nga krimet më të mëdha në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore dënon, ndër të tjera, mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e të dënuarve për krime lufte, transmeton Paparaci.

Serbia dhe Republika Serbe, në të cilën dominojnë serbët e Bosnjës, vazhdimisht kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë.

Rezoluta u propozua nga vendet që kanë një përvojë të vështirë historike me këtë – Gjermania dhe Ruanda. Teksti u sponsorizua nga 34 vende të tjera, duke përfshirë të gjitha ish-republikat jugosllave, përveç Serbisë dhe Malit të Zi.

Në vitin 1995, trupat serbe të Bosnjës vranë së paku 8.000 boshnjakë në Srebrenicë, e cila atëherë ishte nën mbrojtjen e OKB-së.

Ky krim u përcaktua nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi si gjenocid.

Deri më tani, për këtë janë dënuar më shumë se 50 persona në këtë gjykatë dhe në gjykatat në Bosnje dhe Hercegovinë.

Masakra në Srebrenicë u shpall gjenocid edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë (GJND).

Të mërkurën, Kuvendi i Republikës Serbe miratoi një deklaratë ku protestohet kundër rezolutës dhe kryetari i këtij entiteti, Millorad Dodik, shkroi në rrjetin X se miratimi i rezolutës do të shkaktojë dëme të pariparueshme, që do të nënkuptojë fundin e Bosnjë-Hercegovinës.

Ai ka kërcënuar se Republika Serbe, ku ndodhet Srebrenica, do të ndahet nga Bosnja nëse rezoluta miratohet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me bekimin e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ka shkuar në Nju Jork para votimit, ku vazhdon me propagandë kundër rezolutës, transmeton portali i Radios Evropa e Lirë.

“Unë do të shkoj në Nju Jork sepse dikush duhet t’u përgjigjet atyre që duan të akuzojnë Serbinë se është një komb gjenocidal”, ka thënë Vuçiq javën e kaluar.

Kujtojmë se në tekstin e Rezolutës askund nuk shkruan se Serbia akuzohet për gjenocid në Srebrenicë. Por është fakt i ditur se këtë e kanë bërë kriminelët ultra-nacionalistë serbë me nxitjen e shërbëtorëve të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, ku një nga ta ishte edhe vet Aleksandar Vuçiqi, i cili atëbotë ka deklaruar se “për një serbë të vrarë, do të vriten 100 myslimanë”.

(Kosova Sot Online )