Dëgjohen sirena në Tel Aviv

  • A.P /
  • 26 May 2024 - 14:03
Dëgjohen sirena në Tel Aviv

Sirena që paralajmërojnë sulme me raketa u dëgjuan në pjesën qendrore të Izraelit, përfshirë Tel Avivin më 26 maj, për herë të parë pas disa muajsh, teksa Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha se ka gjuajtur një breshëri raketash nga Gaza, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Hamasi ka vazhduar të sulmojë me raketa komunitetet përreth Gazës, që kur ka nisur luftën me Izraelin më 7 tetor.

Nuk ka ende informacione për viktima apo dëme nga breshëria e fundit e raketa e lëshuar nga Hamasi.

Lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 35.800 palestinezë.

Izraeli thotë se po zhvillon ofensivë në Gazë me synimin që të zhdukë Hamasin, i cili udhëheq këtë territor. 

(Kosova Sot Online)